Pronarja e kompanisë së basteve paguan veten me 279 milionë dollarë në vit

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2018, 11:08 | Lifestyle

Themeluesja miliardere dhe pronarja e kompanisë së basteve “Bet365” ka paguar veten me 279 milionë dollarë në vit, një rrogë rekord për një CEO (shef ekzekutiv) të një kompanie britanike.

Denise Coates, i ka caktuar vetes një rrogë prej 220 milionë paundësh (283 milionë dollarë) në vitin 2017. Por duke qenë se është edhe bashkëpronare e kompanisë, ka përfituar edhe 45 milionë paund (57 milionë dollarë) si dividend. Për krahasim, të ardhurat totale të CEO-s së Apptle, Tim Cook, për vitin 2017 ishin vetëm 12,8 milionë dollarë.

Në këtë mënyrë, anglezja bëhet drejtuesja më e paguar në Britani dhe drejtuesja femër më e paguar në botë. Të ardhurat e saj vjetore janë më shumë se dyfishi i rrogave të të gjithë skuadrës së futbollit Stoke City, që është në pronësi të Bet365. Sezonin e kaluar, Stoke ra nga Premier League dhe tashmë luan në Championship, kategorinë e dytë angleze.

Sipas Komisionit të Basteve, Britania ka tregun më të madh në botë të basteve online, 32% të tregut botëror, prej të cilës janë gjeneruar 13,8 miliardë paund (17,7 miliardë dollarë) nga tetori 2015 deri në shtator 2016.

Në vitin 2015, 430 000 persona në Britani janë vlerësuar si kumarxhinj problematik, ndërsa 2 milionë të tjerë në rrezik për t’u shndërruar të tillë. Sipas organizatës “GambleAware”, kumarxhinjtë problematik i kushtonin qeverisë britanike nga 260 milionë paund (334 milionë dollarë) deri në 1,2 miliardë paund (1,5 miliard dollarë) çdo vit. Pasuria totale e Coates vlerësohet nga Forbes të jetë 3,6 miliardë dollarë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos