Presidenti Martin Vizcarra, i shkarkuar nga Kongresi peruan. Manuel Merino duke dhënë dorëheqjen më 15 nëntor. Francisco Sagasti betohet si president i Perusë më 17 nëntor.
Trazirat në Peru duket se nuk do të ndalen, pasi vendi emëroi presidentin e tretë brenda një jave.
Protetuesit u përleshën me forcat e rendit pasi Kongresi shkarkoi nga detyra presidentin Martin Vizcarra, duke i hapur rrugën kreut të institucionit, Manuel Merino, që t’i zinte vendin.
Shumë peruanë e panë këtë lëvizje si një përpjekje për të kapur pushtetin dhe me mijëra protestuan në rrugët e kryeqytetit, Lima, duke mos e pranuar vendimin.
Për shkak të presionit dhe përleshjeve të dhunshme, vetëm javën e kaluar 2 persona humbën jetën dhe 94 të tjerë u plagosën. Të dielën, pesë ditë pasi ishte betuar në detyrë, Merino dha dorëheqjen.
Protestuesit e miratuan këtë vendim, por dy ditë më vonë, një tjetër president u betua, Francisco Sagasti, i zgjedhur përsëri nga Kongresi. Sagasti është një inxhinier 76-vjeçar dhe ish-zyrtar i Bankës Botëtore.
Sagasti u bë kështu presidenti i tretë i vendit brenda një jave, dhe i katërti në katër vite. Duke parashikuar që do ta shkarkonin, presidenti Pedro Pablo Kuczynski dha dorëheqjen, në mars 2018. Zëvendësi i tij, Marin Vizcarra, u shkarkua javën e kaluar. Për shumë peruanë kjo tregon që Kongresi ka më tepër fuqi se sa duhet dhe Kushtetuta duhet ndryshuar, për të riformatuar ekuilibrin mes pushteteve. Në prill 2021, peruanët do të shkojnë në kutitë e votimit për të zgjedhur anëtarët e rinj të Kongresit dhe presidentin e ri, që do të jetë i pesti në po kaq vite. (A2 Televizion)