
Procedimi penal për 8 prej protestuesve të rafinerisë së Ballshit, ka ngjallur reagimin e Partisë Demokratike.
Ish-deputeti, Enkelejd Alibeaj, duke postuar njoftimin e policisë, e quan këtë lëvizje, sulm personal të kryeministrit.
“Ka disa ditë, që naftëtarët e Ballshit protestojnë, por kur protesta e tyre mori vëmendjen e publikut, Edi Rama u kujtua për COVID-in dhe ka urdhëruar ndjekjen penale të naftëtarëve protestues.
Është një urdhër kriminal, që kërkonte të dënojë ata që ngrenë zërin kundër padrejtësisë dhe dyfish i padrejtë, kur zëri ngrihet nga punëtorë të ndershëm të cilëve u mohohet djersa e tyre”, thotë Aliabeaj , sipas të cilit shembulli i keq për tubime të paligjshme kundër rregullave të pandemisë, vjen fillimisht nga kryeministri e kryebashkiaku Veliaj. (A2 Televizion)