Protesta kundër masave kufizuese në Itali, rrezikohet përshkallëzimi i tensioneve

Nga A2 CNN
26 Tetor 2020, 20:53 | Bota

Qindra njerëz mbushën rrugët e Napolit dhe Milanos, duke kundërshtuar masat shtrënguese të qeverisë për frenimin e pandemisë së koronavirusit si dhe duke ngritur shqetësimin se vendi do të përfshihet në tensione të forta shoqërore.

Një prani e shtuar e forcave policore u mobilizua për të garantuar rendin, ndërsa demonstratat e ditëve të fundit janë cilësuar "një kambanë alarmi".

Ministria e Brendshme ka theksuar nevojën për të zbutur çdo situatë të rrezikshme, ndërsa thekson se ata që u bënë protagonistë të përplasjeve me policinë, në thelb, nuk kishin asnjë lidhje me kategoritë që në një farë mënyre u prekën më shumë nga kriza e muajve të fundit, por kishin qëllime specifike të provokimit të trazirave si ultrasit, ekstremistët e djathtë e të tjerë.

Mijëra demonstrues ishin në Piazza del Pebiscito në Napoli për të protestuar kundër masave të qeverisë. Ata kërkojnë dorëheqjen e guvernatorit Vincenzo De Luca teksa e akuzojnë për keqmenaxhim të krizës.

Të dielën, autoritetet italiane urdhëruan mbylljen e palestrave, kinemave dhe teatrove, ndërsa baret dhe restorantet nuk do të presin më klientë pas orës 6 të pasdites. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos