
Banorët e fshatit Piskovë vijojnë të kundërshtojnë punimet e landfillit që është planifikuar të ndërtohet në territorin e kësaj zone, pjesë e bashkisë Përmet.
Në mbështetje të tyre, ka qenë dhe ambientalisti Sazan Guri, i cili ka deklaruar se ky është një krim ekologjik dhe dëmi që shkaktohet është i përmasave të mëdha, ndaj dhe për këtë arsye do të kryhet edhe kallëzim penal.
Banorët thonë se kjo është një zonë e frekuentuar edhe nga mjaft turistë, të cilët vizitojnë bredhin e Hotovës, me status park kombëtar që me këtë projekt rrezikon shkatërrimin e tij, ndërsa nuk kanë kursyer as thirrjet ndaj deputetes së zonës njëherazi dhe ministres së Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, të ndalojë punimet.
Pak ditë më parë, kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha zhvilloi një takim me përfaqësues të zonës ku deklaroi se ky është një vend depozitim i përkohshëm deri në përfundim të rrugës Kardhiq-Delvinë që do të mundësojë kalimin e mjeteve drejt landfillit të Bajkajt në Delvinë, ku do të depozitohen te gjitha mbetjet e qarkut Gjirokastër, por duket se kjo deklaratë nuk i ka bindur banorët, të cilët paralajmërojnë përshkallëzim të protestave deri në bllokim të rrugës nacionale. (A2 Televizion)