
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Roland Bejko, tha se grupi brenda PD-së që nuk mbështet Berishën, nuk do të marrë pjesë në protestën tek inceneratorët, të thërritur nga Ilir Meta.
“Ne jemi te një grup politik që në kongresin e dhjetorit të PD-së, kemi dalë me moton tonë që e shkuara duhet të jetë në pjesë tjetër të historisë dhe e ardhmja në pjesë tjetër. Kështu që, i ashtuquajtur “Trekëndëshi i Bermudës”, i artikuluar nga zoti Basha në atë periudhë, mendoj se është i qenësishëm dhe për pasojë nuk mund të bëhemi pjesë e spektaklit politik që realizon kjo trio, Rama-Berisha-Meta”, tha Bejko, në Ditarin e A2 CNN.
Ai tha se PD-ja, me komisionin e vet për inceneratorët, e ka paraqitur dosjen në SPAK dhe tani duhet të veprojë drejtësia. “Këtë protestë e shoh si aksion të Ilir Metës për të konfirmuar partinë e tij dhe i duhet të fitojë kredite politike. Nuk ka asgjë të keqe këtiu, por ne kemi zgjedhur ta dërgojmë në SPAK dhe ta lëmë të bëjë punën e vet. A po e bën punën SPAK? Kjo është çështje tjetër, sepse rasti është flagrant dhe arrestimet duhet të kishin arritur në nivelet më të larta”, tha ai. (A2 Televizion)