
Shtohen përpjekjet në Itali për shpërbërjen e lëvizjeve neofashiste, pas protestave të dhunshme në fundjavë, kundër certifikatës së detyrueshme shëndetësore.
12 persona, përfshirë Roberto Fiore, themeluesi i partisë së ekstremit të djathtë Forca e Re, u arrestuan lidhur me protestat e së shtunës, kur një grup demostruesish u përpoqën të hynin në pallatin Chigi, rezidenca zyrtare e kryeministrit italian. U sulmua gjithashtu një qendër spitalore, ku u plagosën edhe 4 punonjës të shëndetësisë dhe zyrat e një sindikate tregtare.
Skenat u dënuan ashpër, me politikanët e Partisë Demorkatike të qendrës së majtë që prezantuan një mocion në Parlament, duke kërkuar që Forca e Re dhe lëvizje të tjera neofashiste të shpërbëhen.
Një mocion i ngjashëm u prezantua edhe nga partia e qendrës Italia Viva dhe Partia Socialiste.
Protestat në fundjavë, ku u infiltruan pjesëtarët e lëvizjeve neofashiste, u zhvilluan kundër vendimit të qeverisë që detyron punonjësit në sektorë privatë e publike, të dëshmojnë vaksinim apo test negativ për të hyrë në vendet e punës.
Masa hyn në fuqi më 15 tetor. (A2 Televizion)