
Protestat kundër rritjes së çmimit të naftës dhe ushqimeve kanë sjellë një reagim të dhunshëm të forcave të policisë ndaj pjesëmarrësve, të cilët në pjesën më të madhe kanë qenë paqësor dhe nuk kanë kryer akte të dënueshme përveç bllokimit të disa akseve rrugore.
Kështu, në komunikatat e përditshme që drejtoritë vendore publikojnë, mësohet se mbi 30 persona janë arrestuar dhe qindra të tjerë janë proceduar për pjesëmarrjen e tyre në këto protesta në qytetet kryesore të vendit.
Në protestën më të madhe që u mbajt mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, policia bën me dije se arrestoi në flagrancë 23 persona, si dhe procedoi penalisht 23 të tjerë të cilët bllokuan për më shumë se dy orë disa kryqëzime kryesore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Mbi 50 qytetarë u proceduan në Durrës, aty ku sërish pati një protestë të madhe, ndërsa 2 persona u arrestuan.
Arrestime dhe të proceduar pati dhe në Shkodër, Prrenjas, Mirditë, si dhe Elbasan.
Protestat kundër rritjes së çmimeve vijojnë tashmë prej 3 ditësh dhe mesa duket kanë gjetur mbështetjen e shumë qytetarëve, të cilët vijojnë t’i bashkohen kësaj kauze. (A2 Televizion)