
Media e njohur britanike “Financial Times” raporton se autoritetet kineze janë duke hartuar një plan të ri për të hequr nga detyra lideren e Hong Kongut, Carrie Lam. Drejtuesja pro Pekinit prej disa kohësh është vënë nën kritika në qytetin gjysmë-autonom, për shkak të protestave të dhunshme që vijojnë prej 20 javësh.
Deri tani qeveria e Pekinit e ka mbështetur Lam dhe policinë e Hong Kongut duke akuzuar protestuesit për situatën e krijuar dhe dhunën në qytet. Por sipas “Financial Times”, durimi i Pekinit zyrtar ka marrë fund, dhe për këtë arsye është duke menduar një plan për të vendosur një shef ekzekutiv të përkohshëm në Hong Kong që do të zëvendësojë Carrie Lam. Deri tani nuk ka një reagim nga ana e zyrës së Carrie Lam për këtë raport.
Hong Kongu prej 20 javësh po përballet me protesta të përditshme dhe nuk ka shenja për një zgjidhje politike të situatës. Ditë pas dite manifestimet po kthehen edhe më të dhunshme (A2 Televizion)