
Epidemiologu Dritan Ulqinaku, në një lidhje direkte me “Ditari” në A2, deklaroi se situata me Covid-19 në vendin tonë është problematike, pavarësisht se “këtë javë ka pasur stabilitet të shifrave”.
“Situata është problematike. Komiteti i Ekspertëve ka theksuar se po pati përkeqësim, do të kemi rishikim të masave. Këtë javë ka pasur stabilitet të shifrave dhe shpresojmë që, edhe me sensibilizim më të rritur, shifrat të ulen më tej. Por, nuk ka gjë të sigurt”, u shpreh Ulqinaku.
Kur u pyet nëse është e nevojshme mbyllja e bareve dhe e restoranteve, Ulqinaku theksoi: “Masat shtrëngohen dhe lirohen në varësi të kapaciteteve spitalore. Nëse një shtet ka të disponueshme kapacitete spitalore, mund të ecë pa shtrënguar masat. Nëse kapacitetet zvogëlohen, masat vijnë duke u shtrënguar. Në këtë linjë janë të gjitha vendet”.
Në lidhje me testin e shpejtë, Ulqinaku nënvizoi: “Është shumë efikas në 5 ditët e para të fillimit të sëmundjes. Nëse ke pak temperaturë, duhet kontaktuar menjëherë me mjekun e familjes për të bërë testin e shpejtë. Por, do të vijojmë edhe me tamponin klasik. Testet e shpejta janë thjesht një mundësi plus”. (A2 Televizion)