Prova e së vërtetës, Partizani kthehet në Champions pas 6 vitesh

Nga A2 CNN
11 Korrik 2023, 12:53 | Futboll
Prova e së vërtetës, Partizani kthehet në Champions pas 6

Partizani në qendër të fushës dhe himni i Champions League në sfond. Pas titullit të 17-të kampion të Shqipërisë, Demat e Kuq kthehen në aktivitetin më prestigjioz për klube pas 6 vitesh.

Kjo është hera e 11 që kryeqytetasit luajnë në këtë event, ku vetëm në një rast kanë arritur të kalojnë një tur kualifikues. Bëhet fjalë për sezonin 2016-2017, kur me italianin Sormani në stol kaluan nga raundi i dytë në të tretin.

Sfida përballë BATE Borisov është e vështirë. Skuadra më e suksesshme e Bjellorusisë është në habitatin e vet në arenën ndërkombëtare, ku nga viti 2008 është kualifikuar pesë herë në fazën e grupeve të Champions dhe 4 herë në grupet e Europa League.

Me mbështetjen e tifozëve në Arenën Kombëtare, Partizani luan për prestigj, por edhe për të mbushur arkat. Deri më tani, të kuqtë kanë përfituar mbi një milion euro nga fitimi i titullit dhe pjesëmarrja në Champions.

Pas shpërblimit me 100 milionë lekë të vjetër nga federata, Demat përfituan edhe 150 milionë shpërblim nga Bashkia. Këtyre fondeve u shtohet bonusi 260 mijë euro nga UEFA, si ekip kampion.

Pjesëmarrja në turin e parë të Champions shpërblehet me 100 mijë euro. Nëse nuk ia del ndaj BATE-s dhe eliminohet, Partizani zbret në turin e dytë të Conference League, aty ku përfiton edhe 100 mijë euro të tjera.

Ndërkohë, nëse eliminohen nga kupat e Europës, UEFA i garanton edhe 350 mijë euro të tjera në formë bonusi, për të ndihmuar financat e klubit. Në total, bëhet fjalë për 810 mijë euro përfitime vetëm nga konfederata europiane e futbollit. Shifra do të jetë më e lartë, nëse Partizani bën mrekullinë ndaj BATE Borisov. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos