
Pas një viti të vështirë nga pandemia, maturantët po përgatiten për procesin më të rëndësishëm, atë të mbylljes së gjimnazit dhe hyrjes në universitet.
Provimet e maturës shtetërore fillojnë më 3 qershor dhe mbyllen në datën 15 të këtij muaji. Për shkak të situatës më të përmirësuar nga Covid-19, në testet e sivjetshme rikthehen pyetjet me zhvillim si dhe esetë në lëndën e gjuhës shqipe dhe atë të huaj.
Rezana Vrapi, drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore tregon se tezat e provimeve do të jenë të shkallëzuara, sipas niveleve të vështirësisë. Nuk do të mungojnë as pyetjet e vështira për të ndarë nxënësit e 9-s nga ata të 10-s.
Edhe pse këtë vit, mësimi u zhvillua në kushte të vështira, më shumë online sesa në klasë, specialistët nuk kanë reduktuar programin mësimor.
Vrapi këshillon maturantët të punojnë më shumë këtë periudhë ndërsa i siguron se testi i provimeve do të jetë më i kontrolluar.
Matura shtetërore do mbahet sipas protokolleve anti-covid. Provimi i parë nis në 3 qershor me gjuhën e huaj, në 7 qershor zhvillohet testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, në 11 matematika dhe në 15 qershor lënda me zgjedhje. (A2 Televizion)