
Partia Socialiste do të votojë në Kuvend emrin e kreut aktual të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj për president të ri të vendit. Kështu ka deklaruar kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, duke përjashtuar të gjitha propozimet që erdhën nga grupi i PS, apo ata që kanë karrierë në PS.
“Kemi përmbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidaturës që do të çojmë në kuvend për të votuar presidentin e ri të RSH-së. Sot procesi është përmbyllur duke vënë në dispozicion të kryesisë të gjitha kandidaturat e propozuara nga grupi parlamentar me zarfet e sekretuar. Është përjashtuar menjëherë blloku i kandidaturave nga brenda grupit parlamentar.
Është hequr dhe blloku i kandidaturave që janë gra dhe burra shumë të nderuar, por që i përkasin kësaj familjeje politike, sepse sot e kemi ridiskutuar dhe dakordësuar që PS-së i takon që në këtë moment të shkojë dhe shohë përtej vetes që t’u japë shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë në PS, por që rrezaton atë normalitet e qytetari e mirësi për të cilën kanë nevojë qytetarët.
Jemi përqëndruar në bllokun e tretë që ka pasur 26 kandidatura që janë shoshitur në tryezë për të arritur në konkluzionin se PS propozon Bajram Begën, shefi aktual i forcave të armatosura për president të vendit”, deklaroi Rama, duke theksuar se profili i ushtarakut ishte arsyeja thelbësore e përzgjedhjes, ndërsa sollli në vëmendje ish-presidnetin Moisiu.
(A2 Televizion)