
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar pse avioni “Air Albania” me emigrantët e Londrës u ul fillimisht në Rinas, për të fluturuar më pas drejt Kukësit.
Sipas kreut të qeverisë, çdo aeroport fillimisht nis si lokal dhe më pas duhet një procedurë verifikimi, që zgjat 50-60 ditë, për t’u bërë ndërkombëtar.
“Fluturuam nga Tirana në Kukës, sepse, sipas rregullave, çdo aeroport operacional nis si lokal dhe ka procedurë për t’u bërë ndërkombëtar, që zgjat 50-60 ditë”, tha Rama.
Më tej, Rama nënvizoi rëndësinë e aeroporteve: “Shumë njerëz thonë se çfarë na duhen aeroportet, se janë për ata që bëjnë xhiro dhe kanë lekë. Shqiptarët janë ndër popujt më të lëvizshëm për hyrje-dalje, për frymë. Jo vetëm kaq, ata që flasin për aeroportet si për luks, u them se aeroportet janë fabrika buke. Kroacia ka 4 milionë banorë, ka 9 aeroporte dhe është fuqia e 7 e botës në turizëm”. (A2 Televizion)