Kudo në Evropë 1 maji përtej ditës së pushimit është edhe një moment reflektimi dhe proteste për problematikat e ndryshme të punëtorëve. Në Shqipëri, ky moment duket më i zbehur. Nga vjen kjo amulli? Të ftuar në A2 CNN, avokati dhe eksperti i çështjeve sindikale Jordan Daci dhe Kol Nikolla, kreu i Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë diskutuan mbi këto specifika. Sipas Nikollës, është e vërtetë që ekziston një situatë të veçantë nga vendet e tjera, ku duket sikur punëtorët nuk janë të interesuar të artikulojnë të drejtat e tyre, dhe deri diku bën një autokritikë kur thotë se “është e vërtete që sindikatat nuk janë avangardë të shoqërisë shqiptare, por nuk mund të pretendohet sindikata ekselente në një vend problematik”. Sipas tij, problematika kryesore vjen tek ligji. “Kur nuk kemi një ligj për kontrollin dhe menaxhimin e sindikatave, zgjedhjen paqësore të konflikteve, atëherë sindikatat ngelin formalitet”. Sipas tij vitet e fundit ka patur regres në këtë pikë, dhe Qeveria i ka dhënë një goditje sindikatave me shkrirjen e Ministrisë së Punës. Për Dacin, nuk është ky problemi. Kuadri ligjor në vetvete është krejtësisht i përafërt me vendet e rajonit dhe të BE-së. Problemi sipas tij qëndron tek “organizimi i brendshëm i sindikatave, dhe një anëtarësim që nuk është i qëndrueshëm”. Ndërkohë që disa sektorë sindikalë si ai i Arsimit, duket ende i shëndoshë dhe aktiv, sektorë të tjerë ekonomikë, si ato të ndërmarrjeve të mëdha ose të fasonerisë duken ende në gjendje embrionale. Këtë e konfirmon edhe Nikolla kur thotë që sindikata që drejton ka “të paktën 104 kontrata kolektive me fasoneritë, por që përfaqësojnë më pak se 3% të punëtorëve. Duhet një kontratë tip për të gjithë profesionin, që të ushtrojë efektin në gjithë kompanitë”. Vetë sindikatat nuk kanë statistika të freskëta dhe konkrete mbi të punësuarit në bazë të indikatorëve të ndryshëm, gjë që jo vetëm vështirëson zbatimin e ligjit por krijon edhe disa “çudira”, si sindikatat personale të incentivuar nga drejtori ose dhe vetë pronari i një sipërmarrje, në mënyrë për të shmangur institucionet sindikale tradicionale. Sipas Dacit, është e nevojshme që Qeveria të mendojë seriozisht me standardin e minimumit jetik, pra që i mundëson një personi të jetojë në mënyre dinjitoze, që do të zgjidhte sipas tij zinxhirin e problematikes se punëdhënësve dhe punëmarrësve në raport me pagat, standardin dhe mbrojtjen sociale. Për Nikollën kjo duket si ëndërr, dhe thotë që janë 3 vjet që shtyhet për ngritjen e rrogave minimale, por thotë që përtej politikave shtetërore, ky objektiv vështirësohet “nga një mungese produktiviteti” të sipërmarrjes shqiptare. (A2 Televizion)
Pse hesht në 1 Maj zëri i punëtorëve shqiptarë? “Sindikatat në regres. Minimumi jetik i nevojshëm? Ka mungesë produktiviteti”
