“Boshti i trazirave” Rusi-Kinë, Putin me Jinping për rendin e ri botëror: Marrëdhënie e paprecedentë

Nga Xhevahir Qardaku
2 Shtator 2025, 12:44 | Bota

Pasi shpallën një rend të ri botëror, Kina dhe Rusia duan të tregojnë se janë në drejtim të tij. Presidenti Vladimir Putin në takimin bilateral me homologun Xi Jinping në Pekin, vlerësoi maksimalisht marrëdhëniet mes të dyja vendeve duke thënë se janë “në një nivel të paprecedentë”, shkruan A2 CNN.

“I dashur mik, si unë, ashtu edhe i gjithë delegacioni i Rusisë, jemi të lumtur që po takohemi me miqtë dhe kolegët tanë kinezë”, u shpreh shefi i Kremlinit përballë lideri Xi Jinping. Putin shtoi se Rusia dhe Kina kanë qenë gjithmonë bashkë dhe kështu do të vazhdojnë dhe tani. “Komunikimi jonë i ngushtë reflekton natyrën strategjike të lidhjeve ruso-kineze”, u shpreh lideri i Moskës.

Presidenti Xi Jinpin, në takimin e Pekinit me Putin, konfirmoi raportet tepër të mira dhe “bashkëpunimin strategjik global”, mes të dyja vendeve. Ai konfirmon, mes tjerash, vullnetin për të bashkëpunuar në “ndërtimin e një sistemi të qeverisjes botërore më të barabartë dhe arsyeshëm”, sipas asaj që u deklarua në fillim të takimit. Xi Jinping i tha Putinit se “raportet Kinë-Rusi i kanë mbijetuar provës së rëndë të ndryshimeve ndërkombëtare”, teksa shtoi se Pekini ka vullnet për të punuar me Moskën për të “promovuar rendin e ri botëror”.

Kina do të zhvillojë paradën më të madhe ushtarake të mërkurën, që shënon dhe 80-vjetorin e dorëzimit të japonezëve në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Të pranishëm do të jenë me dhjetëra liderë, ndërsa eventi është pagëzuar si “samiti i diktatorëve”, pasi aty marrin pjesë udhëheqës si Kim Jong un i Koresë së Veriut dhe të tjerë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos