Tragjedia në Afganistan, të vdekurit po nxirren me duar nga rrënojat, talebanët kërkon ndihmë ndërkombëtare

Nga Rosalba Bejdo
2 Shtator 2025, 12:58 | Bota

Ekipet e shpëtimit në helikopterë po kërkojnë në rrënojat e fshatrave të largët të Afganistanit lindor, për të mbijetuar të mundshëm pas tërmetit të fuqishëm që vrau 800 persona dhe plagosi 1800 të tjerë. Shumë besohet të kenë mbetur të bllokuar në rrënojat e banesave të tyre pasi lëkundja me magnitudë 6 të shkallës rihter, goditi vendin të dielën pranë kufirit me Pakistanin. Autoritetet po kërkojnë nga ajri për të dytën ditë radhazi, pasi rrugët e bllokuara me mbeturina dhe terreni malor në zonat e prekura e bëri të vështirë udhëtimin nga toka. Të mbijetuarit janë dërguar në një spital të Jalalabadit, i cili edhe para tragjedisë ishte i tejmbushur me pacientë. 

“Një total prej 25personash nga familja ime u martirizuan dhe janë ende nën rrënoja. I bëj thirrje për ndihmë komunitetit ndërkombëtar, të na mundësojë ndihma dhe Zoti t’ia shpërblejë”, thotë banori Mohammad Ibrahim. 

Një qytetar tregoi se kishte gërmuar me duar, për të nxjerrë fëmijën e vdekur nga rrënojat, ndërsa rrëfen se familje të tëra janë shuar në tragjedi. Qeveria talebane ka bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare. OKB lëvroi fondet e emergjencës ndërsa Britania e madhe u zotua për 1 milion dollarë ndihma. Po ashtu India ka dërguar 1 mijë tenda në Kabul.

Tërmeti i së dielës ishte një prej më të fuqishmëve qe ka goditur Afganistanin vitet e fundit.

Vendi është tejet i rrezikuar nga tërmetet pasi gjendet në zonën ku takohen një numër pllakash tektonike të Indisë dhe Euroazisë. Në 2023 më shumë se 1400 vetë humbën jetën pasi një seri tërmetesh me magnitudë 6.3 goditën Afganistanin perëndimor pranë qytetit të Herat. Katastrofa e re vjen teksa Afganistani përballet me thatësirë ekstreme dhe mes asaj qe OKB e cilëson si krizë të paprecedentë urie.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos