Më 2 shtator, në Banjallukë nisi seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës Sërpska (RS), me rend dite zgjedhjen e presidentit dhe qeverisë së re të entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës.
Qeveria aktuale funksionon me “mandat teknik” që nga 22 gushti, pasi Kuvendi pranoi dorëheqjen e kryeministrit të entitetit, Radovan Vishkoviq.
Si mandatar të ri, Millorad Dodik ka propozuar Savo Miniqin, edhe pse nuk ka të drejtë kushtetuese për një veprim të tillë, pasi mandati i presidentit i është hequr nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i Bosnje e Hercegovinës.
Sipas Kushtetutës së RS-së, mandatarin duhet ta propozojë presidenti i entitetit.
Miniq, deri tani ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, vjen nga radhët e Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur të Dodikut.
KQZ-ja ia hoqi mandatin Dodikut pasi Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, në fillim të gushtit, e dënoi me një vit burgim - dënim të cilin e zëvendësoi me pagesë monetare - dhe me gjashtë vjet ndalim të ushtrimit të funksioneve publike.
Pas kësaj, KQZ-ja shpalli zgjedhje të jashtëzakonshme për president të RS-së më 23 nëntor.
Në përfundimet e një seance, kur u pranua dorëheqja e Vishkoviqit, Kuvendi i RS-së e ftoi Dodikun të vazhdojë ushtrimin e funksionit të presidentit, hodhi poshtë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe u kërkoi institucioneve të entitetit të mos bashkëpunojnë me KQZ-në.
Opozita paralajmëroi se me këtë veprim po hyhet në zonën e veprave penale dhe të shkeljes së rendit kushtetues të Bosnje e Hercegovinës.
Kuvendi po ashtu shpalli referendum për 25 tetor, në të cilin qytetarët pritet të vendosin nëse do të pranojnë vendimet e përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare, Christian Schmidt, të Gjykatës dhe të KQZ-së, me të cilat u penalizua Dodik.
Millorad Dodik u dënua dhe u shkarkua nga posti në fillim të gushtit, pasi u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë, Schmidt.
Përmes kompetencave të tij, Schmidt kishte shfuqizuar ligjet jokushtetuese të miratuara nga Republika Sërpska me të cilat synohej të kontestoheshin aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës, vendim ndaj të cilit Dodik kishte paraqitur apel.
Gjatë paraqitjes së programit në Kuvend, Miniq i quajti joligjore vendimet e Gjykatës së Bosnje e Hercegovinës, Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës, por edhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë.
Ai konfirmoi synimin e Republikës Sërpska që gjatë mandatit të tij qytetarët e këtij entiteti, përmes një referendumi, të shprehen nëse janë “për imponime apo për mbrojtjen e institucioneve të RS-së”.
Programin e tij, siç njoftoi, Miniq do ta mbështesë në forcimin ekonomik të Republikës Sërpska përmes riorganizimit të institucioneve, të ndërmarrjeve publike dhe administratës shtetërore.
Ai gjithashtu paralajmëroi miratimin e masave për zbatimin e ligjeve që lidhen me kompetencat e parashikuara në Marrëveshjen e Dejtonit, si dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Serbisë në përputhje me përfundimet e Kuvendit Mbarëserb.
Miniq paralajmëroi, po ashtu, rikthimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe ruajtjen e atyre me Rusinë, Hungarinë, Kinën dhe Bjellorusinë – si një nga objektivat e politikës së jashtme që do të realizohet me mbështetjen e anëtarit të Presidencës së Bosnjës nga komuniteti serb.
Në fund të fjalës së tij, ai propozoi edhe anëtarët e Qeverisë. Mes tyre janë kryesisht ata që kanë qenë pjesë e kabinetit edhe në përbërjen e kaluar, me disa rotacione. REL (A2 Televizion)