Publikimi i pagave dhe targave, Berisha: Nga sistemi që lashë unë, nuk doli as edhe një e dhënë

Nga A2 CNN
27 Dhjetor 2021, 22:37 | Politikë
Publikimi i pagave dhe targave, Berisha: Nga sistemi që lashë

Sali Berisha foli për çështjen e nxjerrjes së të dhënave personale të qindra mijëra qytetarëve shqiptare. Në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, ish-kryeministri deklaroi se serveri i tatimeve është vjedhur nga eksponentë kryesorë të Partisë Socialiste.

“Nga sistemi që lashë unë, nuk rrodhi qoftë edhe një e dhënë e vetme. Lashë një sistem në tatime që u vodh nga eksponentë kryesorë të Partisë Socialiste me kamera, të regjistruar. Serveri i tatimeve është vjedhja më e madhe që ekziston. Nuk ishte sistem i dobët, por ishin hajdutë të paskrupullt që shkuan dhe vodhën serverin. Prandaj, Edi Rama, me aktet e tij të nxjerrjes së të dhënave personale të shqiptarëve, tregon se është sot njeriu më i padenjë në planet. Kurrë një shtetar, në diktaturë apo demokraci, nuk i lejon vetes një akt të tillë sepse është dhunim flagrant i qytetarëve me të dhënat që ia ke marrë në mirëbesim, si shtet që je”, u shpreh Berisha.

“Edhe të dhënat e patronazhistëve ishin një akt i shëmtuar dhe nuk u bë hetim ndaj këtij krimi monstruoz. Në sistemet informative nuk mund të marrë askush asgjë, pa lënë gjurmë. Nëse është punonjës i sistemit, sa hyrë hyn në sistem, lë gjurmë aty. Nëse “hackers”-at ndërhyjnë, futet siguria kibernetike në këtë çështje. Çdo njeri që i ka nxjerrë, aty e ka emrin. Por, Edi Rama doli me drejtoreshën e AKSHI-t, që të dhënat i përdor në funksion të partisë. Me nxjerrjen e targave, bota e krimit mund të shënjestrojë çdo person që dëshiron”, shtoi Berisha.

Kur u pyet se kujt i leverdiste nxjerrja e të dhënave, Berisha u përgjigj: “Kjo nxjerrje u vendos nga një takim mes Erion Veliajt, Lulzim “Bravës” dhe Taulant Ballës. Pas asaj darke, të pasnesërmen dolën të dhënat në shesh. Ishte një ujdi e Ramës, i cili nuk u takua vetë me “Bravën”, ngarkoi dy të tjerët për të darkuar me të. Por, arrestimi i Lefter Kokës nuk kishte qëllim tjetër vetëm për t’i vënë kapakun një kazani që zien, që është një nga aferat korruptive më të rënda të këtij shteti”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos