
Pas vendimeve të sotme të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryetari i saj Lulzim Basha mbyll ditën politike duke ftuar demokratët në Kuvendin e 18 dhjetorit.
Sipas tij në atë datë “ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë”.
Sipas tij, Këshilli Kombëtar sot “foli qartë”, duke shkarkuar anëtarët e saj që iu bashkuan Sali Berishës me 251 vota pro, 4 kundër dhe dy fletë të pavlefshme në 257 të pranishëm, ndërkohë që anëtarët e Këshillit Kombëtar janë në total 478 anëtarë.
Lideri demokrat ka falënderuar edhe anëtarët e Këshillit Kombëtar, sepse “mbledhja e sotme e Këshillit Kombëtar ishte e një rëndësie kyçe për demokratët dhe rrugën që do ndërtojmë. Pjesëmarrja juaj ishte një vlerë e madhe, për të cilën mirënjohja ime është e thellë, në këto kushte komplekse”.
Këshilli Kombëtar shkarkoi nga detyrat partiake te Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka si dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, të sekretarëve Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia, si dhe 11 kryetarët e degëve të PD që u ishin bashkuar “Foltores” së Sali Berishës.
(A2 Televizion)