
Kuqezinjtë e Milanit kanë zyrtarizuar yllin amerikan Christian Pulisic si blerjen më të re të kësaj merkatoje vere.
25-vjeçari i ardhur nga Chelsea është prezantuar, duke dërguar menjëherë një mesazh kërcënues për ekipin tjetër të qytetit, zikaltërit e Interit.
“Ditëlindja ime bie në fundjavën e derbit dhe sigurisht që ju tashmë e dini se cila mund të jetë dhurata më e mirë për mua, fitorja e lojës dhe ndoshta shënimi”, ishin fjalët e para të Pulisic për derbin e Milanos, që këtë sezon do të luhet në javën e 4-të të Seria A.
Pasi iu nënshtrua kontrolleve mjekësore dhe përshëndeti tifozët në Casa Milan të mërkurën, ai tha: “Jam këtu për të luajtur në nivelin tim më të lartë dhe të ndihmoj Milanin të fitojë trofe".
Sipas tij arsyeja kryesore pse zgjodhi Milanin është mundësia për të luajtur me një klub legjendar.
“U ndjeva i kërkuar. Është dhe një arsye tjetër pse erdha në Milano, për të luajtur në Champions League. Unë jam këtu për të luajtur dhe për të ndihmuar ekipin të fitojë trofe, duke sjellë të gjithë përvojën time me Chelsean. Fitorja e Ligës së Kampionëve ishte e mrekullueshme dhe dua të provoj përsëri. Mezi pres të gjej pozicionin tim më të mirë për të ndihmuar ekipin, por dua të jem krijues dhe i drejtpërdrejtë si lojtar”, tha Pulisic.
Sa i përket numrit në fanellë, mesfushori amerikan shprehet se 11 i pëlqen, por ka një arsye edhe më të fortë se përse e zgjodhi ta mbante mbi supe.
“Numri 11 i përkiste Ibrahimovicit, një legjendë, një fenomen. Për mua është një numër që më pëlqeu”, tha ai. (A2 Televizion)