“Punësimi në shtet e gërryen PS”, Rama: Ngritje e Akademisë Politike dhe riorganizim tërësor

Nga A2 CNN
2 Shtator 2021, 11:14 | Politikë
“Punësimi në shtet e gërryen PS”, Rama: Ngritje e

Kryeministri Edi Rama u shpreh i prerë ndaj organizatave socialiste që kërkojnë punësimin në shtet. Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme, kryeministri theksoi se tema e punësimit në shtet nuk i sjell asgjë të re PS-së, por gërryen themelin e saj. Sipas Ramës, teoria e punësimit në shtet është jo e udhëheqësve, por e atyre që tërhiqen prej hunde.

“Unë nuk do të dorëzohem, kryefjala dhe pika në fund e çdo organziate nuk mund të jetë punësimi në shtet i anëtarëve, apo i familjes së anëtarëve, apo i krushqisë së anëtarëve. Mbledhje organizate ku punësimi është temë, është i dështuar nuk i sjell asgjë të re PS, veçse një pikë tjetër uji që gërryen themelin e saj. Anëtarësia e PS-së është vetëm një e teta e zgjedhësve të saj. Kush kontakton? Si dhe sa i kontakton, informon përfshin anëtarët e partisë, diskutime për çështje përtej punësimit në shtet? Kush i mban ata lidhur me qëllimet e përbashkëta, deri kur u shkojmë në derë dhe u kërkojmë votën. Sa i dëgjon ata që kanë fatin t’u hapet dera pasi na e kanë dhënë votën? Ne duhet të alarmohemi sot për të ardhmen dhe rolin e kësaj partie në shoqërinë shqiptare. Teoria se ndryshe njerëzit nuk të vijnë kuptojnë e punojnë për ty, nëse punësimi në shtet nuk është karremi, është teoria jo e atyre që udhëheqin, por e atyre që udhëhiqen e merren për hunde nga inercia e një tërësie të mbetur pa udhëheqës. Flas për forcën udhëheqëse që të kërkojë më shumë prej tyre duke besuar tek inteligjenca e shpirti i tyre. Ua kemi borxh atyre që i dhanë jetë kësaj partie e sollën në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh që jemi të gjithë bashkë”.

Rama paralajmëroi ngritjen e akademisë politikë të partisë Socialiste për shëndetin dhe suksesin e saj. Sipas tij, duhet një qasje e re ndërvepruese me zgjedhësit që PS-ja të mos katandiset si simotrat e saj.

“Sot duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, forcën e suksesin e PS-së për një afat më të gjatë se 4 vjet. Ngritja sa më parë e një Akademie Politike të Partisë Socialiste me standarde ndërkombëtare jo vetëm për djemtë e vajzat e talentuar në territor, por edukimin nën vazhdim me ndjenjën e parimeve, nismave të përbashkëta nuk është zgjidhje magjike, por imperativ.

Nuk doni që PS-ja një ditë aspak të bukur të bëhet një azil pleqsh. Pa një qasje të re me aftësi ndërvepruese me zgjedhësit, rrezikon të mbetet në rrugë pa benzinë, pa mundësi për të rendur më tutje, por edhe kjo parti rrezikon të katandiset si simotrat e veta; kashtë e koqe”.

Po kështu, Rama njoftoi edhe riorganizmin tërësor të PS-së dhe sekretariatit e kryesisë. Ai tha se PS-ja duhet të bëhet një parti ku të rinjtë e të rejat do të gjejnë një hapësirë interesi

“Ende sot i kemi lidhjet me njerëzit, por nuk janë lidhje që kanë garancinë afatgjatë, janë lidhje që mund të këputen nga viti në vit, dhe nëse këputen bëhen të pangjitshme më. Mjafton të hidhni sytë rreth e rrotull e të shikoni ku kanë përfunduar partitë e mëdha socialiste. Pikërisht se nuk kanë mundur të jenë ushqim jo për interesat e ngushta, por për shpirtin politik e mendjen politike. Nuk ka asnjë arsye në botë që një ndjekës i një skuadre sporti të bëjë me mijëra km, të harxhojë kursimet  e një viti për të asistuar në fitoren e skuadrës së vet që nuk i jep privilegje, përveç se atij pasioni e angazhimi që edhe një skuadër politike mund ta krijojë, por duhet ta besosh këtë e duhet të luftosh për këtë. Qasja e kryesisë së re, sekretariati të ri. Riorganizim tërësor nga lart e poshtë, jo vetëm nga shpërndarja në territor, por përmbajtësor të partisë të përfaqësimit jo me fjalë, si ato farsa ku jepen karta anëtarësie për herë të dytë apo ku thirren familjarë, që kjo parti të bëhet hapësirë interesi për shumë më tepër vajza e djem që të gjejnë jo punën në shtet, por atë burim nxitje dhe pasioni që gjejnë kur bëjnë aktivitete të tjera sociale, ku ka aktivitete më sfidues se politika dhe gara. Me cilën garë duhet të krahasohen kur vjen se duhet të bëhen bashkë. Na duhet një parti më shumë rregulla e aktivitet social e kulturor. Partia duhet të jetë një vend ku prindërit të ndjehen mirë që fëmijët e tyre po merren me diçka që ia vlen njësoj si sporti, arti e aktivitete të tjera, sepse aty kuptojnë ndajnë shqetësime e halle dhe aty mësojnë se bashkë me të tjerët mund të bëjnë atë që vetëm politika e bën dhe jemi në kohë për ta bërë se kemi eksperiencë, por bashkë me eksperiencën vjen dhe mungesa e vullnetit për të sfiduar vetë eksperiencën tënde”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos