
Pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, presidenti ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare, për të bërë një rivlerësim të situatës dhe masave që do të ndërmerren për sa u përket angazhimeve ndërkombëtare dhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Këshilli diskutoi mbi të gjitha masat që do të ndërmerren për të adresuar këtë situatë, në koordinim të plotë me aleatët dhe partnerët, si sa u përket angazhimeve tona ndërkombëtare, ashtu edhe në raport me sigurinë në vendin tonë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Kreu i shtetit shqiptar dënoi sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës dhe shprehu dhembjen për jetët e humbura gjatë këtij sulmi.
“Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën. Si President i Republikës dhe në emër të popullit shqiptar, shpreh dhembjen e thellë për jetët e humbura gjatë këtij sulmi, dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit. Në këto momente dramatike, shpreh gjithashtu solidaritetin e plotë me popullin e Ukrainës, dhe institucionet e saj demokratike”.
Ai iu bashkua thirrjeve të aleatëve ndaj Rusisë për të braktisur dhunën dhe agresionin, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të kthehet në rrugën e dialogut.
“Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”, u shpreh Meta. (A2 Televizion)