"Luftë ndaj krimit dhe datë për negociatat", miratohen 10 rekomandime nga Komiteti i Stabilizim-Asociimit

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2022, 16:08 | Politikë
"Luftë ndaj krimit dhe datë për negociatat", miratohen

Komiteti i Stabilizim-Asociimit miratoi me konsensus, të pandryshuar në thelb, paketën me 10 rekomandime për autoritetet e Shqipërisë dhe BE-së. Krijimi i një perspektive të besueshme të integrimit në BE, ishte ndër pikat kryesore të diskutuara në mbledhjen e 14-të të këtij komiteti.

Me shqetësim u pa mungesa e një datë për tryezën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe dhënia sa më parë e saj ishte mes rekomandimeve të miratuara. “Nga modeli i Bashkimit Europian, ne kemi shumë për të mësuar për ta zgjedhuar atë në rajon. Duhet të pranojmë që Ballkani i Hapur apo nismat e tjera rajonale janë paradhoma të anëtarësimit në BE”, tha Taulant Balla.

“Open Balkan” gjithashtu, mes rekomandimeve që u miratuan, duket se gjeti mbështetjen edhe të bashkëkryetarit të komisionit që përgëzoi nismën rajonale të ndërmarrë nga Shqipëria.

“E mirëpresim konstruktivitetin e Shqipërisë në rajon. Gjithashtu, edhe përmendjen e disa nismave që përfshijnë edhe atë të tregut të përbashkët rajonal me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nismën e Ballkanit të hapur ku vetëm tri vende janë përgjigjur”, tha Manolis Kefalogiannis, bashkëkryetar i Komitetit të Stabilizim-Asociimit.

Kundër kësaj nisme rajonale u shpreh deputetja e PD-së Jorida Tabaku, që e cilësoi Ballkanin e Hapur si një proces jo të suksesshëm. “Ballkani Perëndimor i është bashkuar një procesi shumë të rëndësishëm, si Procesi i Berlinit, për ne, “Open Balkan” deri më sot konsiderohet jo i suksesshëm sepse nuk kemi parë asgjë konkrete. Unë ndaj shqetësimin që pa qenë Kosova, nuk do të ketë proces të plotë”, tha Tabaku.

Lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, si dhe adresimi i problemeve me shitblerjen e votës dhe rrjedhjes së të dhënave personale të qytetarëve ishin mes 10 rekomandimeve që u miratuan në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim-Asociimit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos