
Socialistët ishin të parët që hapen në Parlament debatin për inceneratorët, duke akuzuar opozitën se gënjeu me akuzat e ngritura për aferë korruptive. Sipas mazhorancës, Komisioni Hetimor tregoi të kundërtën e pretendimeve të demokratëve. Ndërsa deputetet e pakicës u kujtuan kolegëve se kanë një ish-ministër në pranga. Lulzim Basha i bëri edhe njëherë thirrje SPAK-ut të mos ndalë arrestimet për këtë çështje.
Nga salla e Komisionit Hetimor, debati për inceneratorët u transferuar në foltoren e parlamentit. Ndryshe nga sa pritej, ishin vetë socialistët të cilët kishin përgatitur fjalime për këtë çështje duke I konsideruar akuzat për aferë si të pa vërteta.
“E dini ju se çfarë është 430 milionë i shpikur i zonjës Tabaku dhe partisë së saj? Është shifra totale që në 30 vitet e ardhshme deri në 2047, do të jetë shifra që do të paguhet për shërbimin e mbledhjes së mbetjeve”, deklaroi Balluku.
“U mbars mali dhe polli disa miush”, deklaroi Spiropali.
“Ku e keni ministrin e mjedisit? Pse është në burg ai?”, pyeti deputeti Këlliçi.
Lulzim Basha u shpreh në parlament se tashmë janë mbledhur prova të mjaftueshme dhe hodhi akuza se qeveria ka penguar SPAK që të vë në pranga dy zyrtarë të lartë socialistë, një në qeveri e tjetrin në grup parlamentar që sipas tij janë të përfshirë në hetimin për inceneratorët.
“Mos i lini makinat e policisë të kthehen bosh por të ktheheni me zyrtarët me pranga në duar”, u shpreh Basha.
Një qëndrim kritik ndaj të dyja palëve pati Sali Berisha sipas të cilit Komisioni nuk arriti të nxirrte në pah të gjitha të vërtetat ku sipas tij, në hetim duhej të futej edhe kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
“Po nuk u thirr Artur Metani? A e dini ju që ai ka qenë kryetari departamentit ligjor në kryeministri. Aty duhet të ishte Metani!”, deklaroi Berisha.
Pretendimet për konflikt interesi përfshinë në debat edhe zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj me deputetin demokrat Dashnor Sula.
Komisioni Hetimor pritet t’i përcjellë seancës plenare dy raporte mbi gjetjet për inceneratorët, një të mazhoranës dhe një të opozitës. (A2 Televizion)