Putin nis trupat në Ukrainë, diplomatët: NATO të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës. Presion dhe test për Perëndimin

Nga A2 CNN
22 Shkurt 2022, 20:23 | Bota
Putin nis trupat në Ukrainë, diplomatët: NATO të

Njohja e rajoneve separatiste në Ukrainën Lindore nga Rusia dhe rritja e tensioneve mes Rusisë dhe Perëndimit kanë qenë në fokus të Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN me diplomatët Agim Nesho, Arjan Starova dhe Arben Çejku.

Çejku: NATO të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës, kufijtë të rrezikuar

Pas vendimit më të fundit të parlamentit rus që miratoi vendosjen  e trupave jashtë Rusisë, Çejku sugjeron që NATO të përshpejtojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancë, pasi kufijtë e Ukrainës janë të rrezikuar dhe Rusia mund të prekë Kievin dhe rajone më të mëdha.

“NATO duhet të përshkallëzojë hapat e saj si përshpejtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO. Për aq kohë sa vendet e NATO-s kanë qasje të ndryshme dhe nuk kuptojnë rrezikun nga Rusia do humbet kohë dhe energji. Në strategjinë e zgjerimit do ta shohin me specifikë tjetër, përndryshe në çdo kohë kufijtë e Ukrainës do të jenë gjithnjë fleksibël përballë ndikimit rus, që mund të prekin Kievin dhe rajone me të mëdha. Kufijtë janë të rrezikuar për aq kohë sa Ukraina mbetet si litar i tërhequr mes NATO-s dhe Rusisë”.

Nesho: Putin presion perëndimit për të rikthyer lavdinë e ish-Bashkimit Sovjetik

Për diplomatin Nesho synimet e Putin janë të qarta, pasi kërkon të ndajë Ukrainën në dy pjesë dhe i bën presion Perëndimit. Sipas tij Putin do që të rikthejë lavdinë e ish-Bashkimit Sovjetik përmes lëvizjeve të paskrupullta dhe agresive. Ky sipas Neshos, është një moment kritik, pasi është një fuqi revizioniste për një ndarje të re gjeopolitike të Europës.

“Ideja e Putin është që të marrë pjesë në samit të madh ku Rusia të jetë e barabartë me fuqitë perëndimore për të patur diçka nën kontroll dhe të ketë prioritet. Është një lloj presioni për të rikthyer lavdinë e ish-Bashkimit Sovjetik kërkon të luajë me perëndimin që kërkon ta menaxhojë situatën në bazë të rregullave, është lëvizje e pritshme që nuk ka skrupuj është tepër agresiv prandaj Rusia shihet si fuqi revizioniste. Ka një tentativë nga Kina dhe rusa për të vendosur rregullat e tyre. Teoria e respektimit të zonave të influencës kompromenton bashkëjetesën paqësore dhe rregullat. Këto veprime agresive do ta përshkallëzojë veprimin e komunitetit europian. Synimet  e Putin janë të qarta, e para  që statusi i Ukrainës të jetë neutral, me këto veprime kërkon që të ndajë Ukrainën në dy pjesë. Ai kërkon që  të mos shkojë në konflikt të armatosur se do jetë shkatërrues për të gjithë botën. Ai do kërkojë të imponojë në bazë të forcës që të ulet në perëndim dhe perëndimi të çedojë dhe ky është një moment kritik. Është fuqi revizioniste e një ndarje të re gjeopolitike të gjithë Europës. Rusia ka një funksion dhe fuqi vetëm nëpërmjet Europës. Nuk mund ta luajë dot këtë rol në Azi. Këtu futet edhe problemi i Ballkanit ku influenca ruse nuk ka hequr dorë”.

Starova: Test shumë i fortë për vendet euroatlantike. Mund të ketë lëvizje përtej dy zonave

Veprimet e fundit të presidentit rus, për diplomatin Arjan Starova, janë shkelje e sovranitetit dhe marrëveshjeve, por mbi të gjitha janë një test shumë i fortë për vendet euroatlantike. Starova i frikësohet një përplasjeje të fortë, por edhe lëvizjeve përtej këtyre dy zonave për të bërë lidhjen me bregdetin që ndan Krimenë nga Donjesku.

“Futja e forcave është një akt në shkelje të marrëveshjeve. Ky është akt i rëndë dëshmi që Rusia përfaqëson një sistem ndryshe nga bashkësia euroatlantike. Sërish një luftë e ftohtë e përzierë me luftë të nxehtë dhe të shpresojmë që përshkallëzimi të mos vazhdojë se do të ishte kosto e rëndë. Ky është test për vendet euroatlantike. E vë sistemin e vendeve euroatlantike para një testi shumë të fortë në mbrojtje të parimeve të rëndësishme dhe reagimit ndaj Rusisë. Vendet demokratike luftën e shohin si aktin e fundit dhe përpiqen ta shmangin. Kjo është në natyrën e tyre që kanë parësore të drejtat e njeriut. Testi është edhe më i fortë se ç’duket. Kam frikë se mund të ketë lëvizje përtej këtyre dy zonave për të bërë lidhjen me bregdetin që ndan Krimenë nga Donjesku. Territorialisht e ka lidhur Krimenë. Në këtë test duhet të jetë dhe një përplasje të fortë. Nëse mendohet që lufta duhet evituar me çdo kusht duhet menduar një samit i rëndësishëm si çështja e kufijve. Putin në këto vende nxjerr argumentin që janë rusë, kurse në Kosovë e Jugosllavi kishte shkelje të të drejtave të njeriut”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos