
Dhoma e ulët e Parlamentit rus miratoi traktatet e paqes me dy të vetëshpallura Republika Popullore të Luhanskut dhe Donetskut, duke përshkallëzuar edhe më tej krizën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Perëndimin.
Sipas këtyre traktateve, të cilat hyjnë në fuqi pasi t’i firmosë edhe Presidenti Putin, Rusisë i hapet rruga për të ndërtuar dhe mbajtur atje baza ushtarake, të ngrejë një forcë të përbashkët mbrojtjeje dhe të rrisë bashkëpunimin ekonomik.
“Nuk është hera e parë që Luhansku mbron botën sllave dhe lufton kundër fashizmit”, tha deputeti i Partisë “Rusia e Drejtë”, Sergei Mironov. “Shumica e heronjve të Bashkimit Sovjetik kanë lindur në Luhans, plot 315. Asnjë nga krahinat e tjera të Bashkimit Sovjetik nuk ka një numër të ngjashëm”.
“Ky vendim u mor nga Presidenti ynë, që bëri gjithçka për të shpëtuar njerëzit atje”, tha kryetari i Dumës, Vyacheslav Volodin. Ndërsa kryetari i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov: “NATO po na përplas në cep, dhe më keq do të bëhet”. (A2 Televizion)