Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Beirsha, e quajti “korbë të korrupsionit” Ogerta Manastirliun, kandidaten e propozuar nga Edi Rama për Bashkinë e Tiranës. “Dhe kë i çoi Tiranës? I çoi korbën e korrupsionit. I çoi njeriun që me qëndrimet që mbajti ndaj Covid-it, meriton në mënyrë absolute, minimumi dënim të përjetshëm. Janë 22 mijë vdekje që ajo i fshihte. Plus gjërat e tjera. Janë 500 milionë euro, të avulluara, të dhëna për Covid-in. Dhe ky e çon atë për qytetarët e Tiranës sikur ta ketë Tiranën kopshtin e PS”, tha Berisha në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
Berisha falënderoi kandidatin e PD për Bashkinë Tiranë në zgjedhjet e fundit, Belind Këlliçin, për punën që bëri duke denoncuar kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim. “Duhet ta përgëzoj degën e Tiranës dhe Belind Këlliçin që për 46 javë nuk iu ndanë atij hajduti, ndër më të poshtrit që ka Shqipëria dhe që e ka emrin Erion Veliaj”.
Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama i kërkoi anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës që të nisnin procedurat për shkarkimin e kryetarit Veliaj, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve. Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme dërgoi dosjen e Veliajt në gjykatë, pasi mbylli hetimet ndaj tij. Veliaj akuzohet për korrupsion dhe vepra të tjera penale. (A2 Televizion)