
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, mbrojti para Komisionit të Ligjeve projektligjin që synon të ligjërojë kultivimin e kanabisit mjekësor, ku opozita e trajtoi me ironi, kur përfaqësuesja e Qeverisë tregoi se ka marrë darkordësinë e grupeve të interesit.
“Dëgjova që janë pyetur grupet e interesit, por çunat e Londrës dhe këta të Spanjës nuk dinin gjë. Kanë eksperiencë të theksuar ata, e mira është t’i marrim se mund të luajnë dhe rolin e agronomit. Pse t’i lëmë në emigrim, le të vijnë këtu. Lazarati është një shkallë më lart, ka nis tek ABZHR tani. Grupet e interesit, çunat që rrinë në Londër që punojnë shtëpi bari, gjynah të vijnë me eksperiencë, farën e kanë, të zgjedhin llojin e farës, të japin mendim për mënyrën si jepet rendimenti. A do përfshihet në skemat e AZHBR, këto që kanë përfituar nga skemat e ASHBR këta që do kultivojnë hashashin, nga skemat e marrjes së naftës, të marrin pak naftë”, u shpreh deputeti demokrat Saimir Korreshi.
“Çfarë është në shkelje të këtij kuadri ligjor mbetet e paligjshme dhe nuk po legalizohet paligjshmëria, por ngrihet një kuadër i ri ligjor për hapjen e një sektori në ekonomi, që i përket kontrollit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. I ka të përcaktuara të gjitha dispozita. Çdo gjë tjetër që thuhet për të konfuzionuar publikun është e pavërtetë”, tha Manastirliu.
Demokrati Oerd Bylykbashi, ngriti shqetësimin se projektligji injoron shqetësimet e shprehura nga Bashkimi Evropian, por Manastirliu mohoi një gjë të tillë duke thënë se janë në kontakt të shtuar me delegacionin e unionit.
“Keni marrë komentet e delegacionit të BE dhe me këto komente ligji nuk kalon dot, ai po iu thotë që janë të çara të mëdha që kanë rrezik të marrëdhënieve në raport me shtetin e së drejtës dhe zbatimin e ligjit. Po merrni një peshkaqen dhe po e fusni në një pishinë me njerëz”, theksoi Bylykbashi.
“Kemi patur komunikim të përhershëm me ta, edhe në ditët e fundit kanë vijuar të na mbështesin sa i përket rekomandimeve për të përmirësuar aspekte që i kemi patur të përfshira në ligj, por mund edhe t’i rishikojmë”, u shpreh Manastirliu.
Bylykbashi në fillim e Fatmir Mediu më pas, kërkuan që të merret mendimi i qytetarëve përmes një referendumi. Mazhoranca, përmes socialistes Ermonela Felaj e konsideroi populizëm kërkesën e opozitës. (A2 Televizion)