“Që partia të mos tkurret, duhet reflektim i demokratëve”, Kadilli: PD fiton kur të bëhet më e madhe se kryetari

Nga A2 CNN
19 Korrik 2021, 09:40 | Politikë
“Që partia të mos tkurret, duhet reflektim i

“Uroj që reflektimi i demokratëve të jetë i shpejtë që partia të mos tkurret”. Kështu u shpreh ish-kandidati në garë për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, në studion e "Dita jonë", ku foli për zhvillimet në kampin blu pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar demokrat.

Sipas tij, PD-ja do të fitojë kur ajo të bëhet vetvetja dhe më e madhe se kryetari. Dhe kjo, tha ai, do të jetë sfida dhe objektivi tij, pasi shenjat e kuvendit të djeshëm tregojnë që po zvogëlohet.

“Po hyjmë në një tkurrje tjetër, do të kemi probleme të mëdha. PD-ja fiton kur të bëhet më e madhe se kryetari, PD-ja fiton kur të bëhet më e madhe se vetvetja, PD-ja fiton kur bëhet e vërtetë dhe frymëzuese. Shenjat e Kuvendit të djeshëm tregojnë që po bëhet më e vogël se para Kuvendit. Kuvendi nëse është parë si një moment që mbyll proceset e zvogëlon partinë, nëse i hap proceset politike ka shanse ta kthejë partinë në më të madhe, por e shoh të shkëputur nga proceset politike që unë jam i vendosur t’i çoj përpara. Kjo është gara ime. Nëse Basha do që ta bëjë më të vogël se vetja, unë dua ta bëj më të madhe se kryetari”.

Ndërsa vlerëson reflektimin e Mark Markut, Kadilli shpreson për një reflektim të shpejtë dhe nga demokratët e tjerë që PD-ja të mos tkurret. Sipas tij, pavarësisht rrugës ku ka hyrë PD-ja, nuk ka forum politik që kontrollon energjinë politike, apo domosdoshmërinë e debatit publik.

“Nuk kontrollon energjinë politike, forumi politik. Në demokraci rrugët politike janë të pafundme. Nuk ka forum që ndalon domosdoshmërinë dhe debatin publik dhe kjo do të ndodhë se është e natyrshme. Çdo parti që ndodhet në këtë cikël të tillë politik si sot që ka mbyllur ciklin e vet 30-vjeçar. Ai që nuk e kupton sot, do ta kuptojë nesër. Për Markun, unë dhe kandidatë e tjerë quheshim shërbëtorë të Ramës. Marku reflektoi i pari, por si ai do të reflektojnë edhe të tjerë. Çdo njeri ri do kohën e vet të reflektimit. Jam i gëzuar për reflektimin e tij. Këtë kohë reflektimi meriton të ketë çdo anëtar i PD-së. Nuk ka kryetar që çimenton vetveten, kur i gjithë ekipi politik do të ketë reflektuar, dhe në atë moment nuk ka më formulë, Kuvend e Këshill. Uroj që reflektimi të jetë i shpejtë që partia të mos tkurret. Jam i bindur se anëtarësia është e vetëdijshme. Unë i kam të qarta objektivat e mia”.

Në “Dita jonë”, ai përsëriti qëndrimin e tij që mbajti edhe në Kuvendin demokrat, kur tha se PD-ja ka nevojë ulëritëse për të parë vetveten, të dialogojë dhe të kuvendojë.

“U thirr si i jashtëzakonshëm, po u mbyll si më se i zakonshëm, nuk solli ndonjë risi. Shpresoj që ajo që quhet analizë të shndërrohet në bashkëbisedim politik, ne duhet të kuvendojmë si demokratë, opozitarë e qytetarë. Ne duhet të kuptojmë që nuk jemi për vete. Partia në mënyrë ulëritëse ka nevojë të rishikojë veten”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos