Ish-kryeministri japonez, Shinzo Abe, është qëlluar me armë zjarri gjatë një takimi në qytetin Nara të Japonisë.
Ai u qëllua dy herë me armë zjarri dhe e shtëna e dytë në shpinë e rrëzoi atë në tokë. Ish-kryeministri japonez ishte i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm, ndërsa po transportohej në spital pas të shtënave, bënë të ditur autoritetet shëndetësore.
Sipas mediave ndërkombëtare, të cilat kanë publikuar edhe foto nga ngjarja, autori është arrestuar menjëherë.
Ish-guvernatori i Tokios, Yoichi Masuzoe, tha në një postim në Twitter se 67-vjeçari Abe ishte në një gjendje arresti kardiopulmonar, një term që përdoret shpesh përpara se një vdekje të konfirmohet zyrtarisht në Japoni.
Policia ka arrestuar një 41-vjeçar i cili dyshohet të jetë autor i sulmit. I identifikuar si Tetsuya Yamagami, ai thuhet të jetë banor i Nara-s dhe sipas mediave lokale ka qenë ish pjesëtar i forcave të marinës në Japoni. Ai kishte përdorur një armë artizanale dhe sipas dëshmitarëve ishte ndaluar menjëherë nga forcat e sigurisë pas të shtënave.








Abe ka shërbyer si kryeministër i Japonisë nga viti 2006 në 2007 dhe sërish nga 2012 në 2020.
Ai ishte kryeministri japonez më jetëgjatë në histori përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2020, duke përmendur arsye shëndetësore.
Sipas ekspertëve të sigurisë, të shtënat ndaj ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe do ta ndryshojnë vendin “përgjithmonë”.
Aktualisht po bënte fushatë për ish partinë e tij në prag të zgjedhjeve legjislative të së dielës. Gjatë kohës në detyrë njihej për politikat e ashpra të mbrojtjes dhe politikën e jashtme dhe u përpoq të ndryshonte kushtetutën paqësore të pasluftës në Japoni. Incidentet me armë zjarri janë të rralla në Japoni, ku pistoletat janë të ndaluara ndërsa rastet e dhunës politike janë thuajse të padëgjuara (A2 Televizion)