
Reagime ironike erdhën nga Rusia për krizën politike në Mbretërinë e Bashkuar. “Shpresojmë që persona më profesionistë në gjendje të marrin vendime përmes dialogut të vijnë një ditë në pushtet në Britani të Madhe”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Ai shtoi se raportet mes Rusisë dhe kryeministrit Boris Johnson janë të ndërsjella: “Ai nuk na pëlqen ne, po ashtu edhe ne nuk e pëlqejmë atë”, u shpreh Peskov. Lidhur me dorëheqjen reagoi dhe Dmitri Medvedev, zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurisë të Rusisë.
“Po largohen miqtë më të mirë të Ukrainës. Fitorja është në rrezik!”, tha ai me sarkazëm. Ish-presidenti rus shtoi se kriza politike është rezultati logjik i arrogancës britanike dhe i politikës mediokre.
Reagimi i tij përfundon me një shënim: “Presim lajme nga Gjermania, Polonia dhe Shtetet e Baltikut”, shkruan Medvedev në deklaratën e tij të publikuar në telegram. (A2 Televizion)