
Qeveria, por edhe kredimarrësit kanë një lajm të mirë për sa i përket interesave të borxhit të tyre. Tregu i letrave me vlerë është rikthyer në normalitet, pas mbireagimit që pati nga Shtatori e tutje.
Yieldi, apo thënë më thjeshtë interesi mesatar, i bonove 12-mujore ra në ankandin e fundit nga 4.09%, nga 5.83% që kishte prekur në mes të Nëntorit. Kjo rënie me 1.74% do të ndihet në formën e kursimit për buxhetin e shtetit, por edhe për familjet me kredi afatgjatë në lekë, ku bonot 12-mujore merren për bazë në llogaritjen e interesave.
Në ankandet e fundit të organizuara nga Banka e Shqipërisë për llogari të Ministrisë së Financave, një ulje të yieldeve ka pasur edhe për bonot 3-mujore, për obligacionet 3-vjeçare, si edhe për obligacionet më afatgjatë 5, 7 apo 15 vite.
Një ndikim të vogël në uljen e këtyre interesave ka pasur edhe fushata e qeverisë për të nxitur qytetarët drejt investimit në letra me vlerë, për shkak se ofrojnë fitime më të mëdha se depozitat bankare.
Sipas asaj të dhënave të Bankës së Shqipërisë, interesi maksimal në banka për depozitat me afat 1 vjeçar është 3% dhe për dy vite është 3.5%. Teksa për të njëjtat periudha, letrat me vlerë të qeverisë kthejnë 4% dhe 5.3%. (A2 Televizion)