Përpjekjet e Matteo Slavinit për të shkuar në zgjedhje të parakohshme e për të qeverisur i vetëm Italinë morën një goditje të rëndë të mërkurën.
Krerët e Partisë Demokratike nga qendra e majtë dhe lëvizjes populiste të 5 yjeve u dakordësuan për krijimin e një koalicioni qeveritar. Vendimi u njoftua pas konsultimeve më presidentin Sergio Mattarela.
Sipas ujdisë, Giuseppe Conte do të vazhdojë të jetë kryeministër.
“I shprehëm presidentit të republikës mbështetjen për t’i dhënë jetë një qeverie të re koalicioni me shumicë të re politike. Ky është fillimi i një sezoni të ri politik social dhe civil për Italinë. Një qeveri e re që bind Italianët, se mund t’i kapërcejmë vështirësitë sociale dhe ekonomike”, deklaroi pas takimit kreu i PD-së italiane, Nicola Zingaretti.
Në fjalën e tij për gazetarët pas shpalljes së koalicionit, Salvini akuzoi PD se gjithmonë kishte rrëmbyer pushtetin, edhe pse i humbte zgjedhjet. Ndërsa përsëriti kërkesën për zgjedhje te reja, kreu i Legës tha se italianët do të ngriheshin në këmbë dhe do të ndëshkonin Partinë Demokratike dhe lëvizje e 5 yjeve.
“Përse shërben votimi kur ata që ne votojmë për t’i çuar në shtëpi kthehen nga dritarja me lojëra pallatesh? Zgjedhjet janë e vetmja alternativë dinjitoze”, shtoi ai.

Administrata e re do të shërbejë deri në zgjedhjet e ardhshme, të planifikuara për 2023-shin. Lëvizja e 5 yjeve, këmbënguli që Conte të qëndronte kryeministër, dhe lideri i partisë Luigi di Maio përshëndeti vullnetin e Partisë Demokratikë për ta pranuar kërkesën.
Dy partitë, historikisht rivale, u përfshinë në bisedime të tensionuara pas rrëzimit të qeverisë mes Lëvizjes së 5yjeve dhe Legës së Salvinit, më vullnet të këtij të fundit.
Kryeministri Giuseppe Conte dha dorëheqjen në 20 gusht, pasi Salvini kërkoi votëbesim për të. Gjatë fjalimit të dorëheqjes ai sulmoi ashpër kreun e Legës, duke e përkufizuar si të papërgjegjshëm. (A2 Televizion)