Qeveria harton draftin për “legalizimin” e kriptovalutave

Nga A2 CNN
26 Tetor 2019, 14:48 | Ekonomi
Qeveria harton draftin për “legalizimin” e kriptovalutave

Shqipëria po bëhet gati t’i hapë rrugë përdorimit të kriptovalutave. Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin e ri për tregjet financiare që pritet të plotësojë kuadrin ligjor lidhur me përdorimin e monedhave dixhitale, si Bitcoin apo Ripple.

Projekti është prezantuar vetëm pak ditë më parë nga kryeministri Edi Rama, në Konferencën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Privatësisë, ku ka theksuar se nisma e fundit e qeverisë do të sjellë përfitime të shumta për Shqipërinë.

“Dëshiroj thjesht të them që duke vendosur për konsultim publik këtë pjesë të legjislacionit ne po përpiqemi të hapemi gjithashtu edhe për përdorimin e kriptomonedhave, por në një kuadër të rregulluar. Duke filluar këtë proces konsultimi publik kemi hapur një rrugë të re mundësish për zhvillimin e vendit tonë”, tha Kryeministri dy ditë më parë.

Por, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, aktualisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë, ka shprehur qëndrimin e tij kritik mbi përdorimin e monedhave dixhitale në konferencën vjetore të Bankës së Shqipërisë, ndërsa ka apeluar këtë të fundit për kujdes për shkak të risqeve të mëdha që mbartin kriptovalutat.

“Për sa i përket kriptovaultave, ka ardhur momenti që autoriteti rregullator, por edhe ligjvënësi, të mendojë seriozisht pasi ato mund të jenë mallkim saç mund të jenë edhe bekim, sidomos për ekonomi si tonat”, deklaroi Arben Ahmetaj më 11 tetor.

Drafti synon të rregullojë kushtet për licencimin dhe tregtimin e kriptovalutave, ndërsa parashikon gjoba të rënda për të gjithë operatorët që shkelin ligjin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos