Shënohet viktima e parë në demonstratat e rralla antiqeveritare në Kubë. Qindra të tjerë janë arrestuar ose shpallur të zhdukur, si pasojë e përleshjeve në protestat që po tronditin ishullin në ditët e fundit.
Presidenti i Kubës thotë se manifestuesit ishin ata që nxitën dhunë dhe se forcat e sigurisë nuk po abuzojnë me të drejtat e njeriut.
“Ku janë kubanët e vrarë. Ku është represioni? Ku janë njerëzit e zhdukur në Kubë?”, u shpreh presidenti Miguel Diaz-Canel.
Pavarësisht përpjekjes së qeverisë komuniste për të bllokuar internetin dhe valët e telefonit, për të ndaluar komunikimin mes protestuesve, video të asaj çfarë ndodh vijojnë të shfaqen në rrjete sociale.
Shumica shpërndahen nga të afërm në ekzil jashtë vendit, përfshirë senatorin republikan në SHBA, Marco Rubio. Shumica protestojnë pasi shprehen të lodhur nga mungesat kronike të Kubës. Qeveria e hedh fajin te sanksionet tregtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. (A2 Televizion)