Qyteti që ngrihet pranë një vullkani aktiv

Nga A2 CNN
28 Korrik 2023, 08:20 | Lifestyle

Qyteti i Antiguas, një destinacion popullor në Guatemala, i famshëm për rrugët piktoreske, kishat dhe manastiret, jeton çdo ditë nën ankthin e një shpërthimi natyror. Qyteti mahnitës që është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ngrihet mbi një zonë tektonike aktive. Megjithatë, me mijëra turistë e vizitojnë Antiguan çdo vit, duke admiruar bukuritë e saj.

Pika më e famshme e qytetit është harku i Santa Catalina-s që daton në vitin 1694. Ai u ndërtua për t'u mundësuar murgeshave të Santa Catalina-s të kalonin nga manastiri në shkollën që ndodhej në anën tjetër të rrugës, pa u parë në publik. Sot është monumenti më i fotografuar në vend dhe një ikonë e Guatemalës. Parku Qendror i Antiguas është zemra e qytetit. I mbyllur në të katër anët me kolonada elegante dhe ndërtesa të shekullit të 18-të, është një shesh i gjallë ku vendasit vijnë për të takuar miqtë dhe për t'u çlodhur. Aty mund të shihet qartë shkrirja e kulturave të Guatemalës: fiset indigjene maja me veshje tradicionale ulen së bashku me guatemalanët me prejardhje nga kolonitë evropiane dhe vizitorë nga e gjithë bota.

Deri në shekullin e 18-të, Antigua, e njohur atëherë si Santiago, ishte kryeqyteti i Guatemalës dhe një nga qytetet më të mëdha në Perandorinë Spanjolle. Por qyteti ndodhet në një zonë tektonike aktive në afërsi të katër vullkaneve: Agua, Fuego, Acatenango dhe Pacaya. Në vitin 1773, qyteti u shkatërrua nga një seri e madhe tërmetesh, kështu që qeveria vendosi të zhvendosë kryeqytetin në vendndodhjen e tij aktuale dhe qyteti u bë i njohur si La Antigua Guatemala (Guatemala e Vjetër).

Një nga ndërtesat më të goditura ishte ish-katedralja e mrekullueshme e qytetit. E ndërtuar në vitin 1545, ajo qëndroi për më shumë se 200 vjet, përpara se të rrëzohej nga tërmeti. Sot ruhen elemente shtyllash, gdhendjesh që i rikujtojnë vendasve gjurmët e asaj godine unike, por edhe tmerrin e lëkundjeve të frikshme. Megjithatë, “armiqtë” e Antiguas janë bërë tashmë miqtë e saj: të njëjtat vullkane që shkaktuan kaq shumë dëme janë shndërruar në tërheqjen kryesore të turistëve. Volcan de Fuego (Vullkani i Zjarrit) 3768 metra i lartë, një nga më aktivët në botë, ka shpërthyer vazhdimisht që nga viti 2002. Vizitorët që duan të dëshmojnë fuqinë e pandalshme të Tokës, mund të ngjiten lart në Volcan Acatenango, i cili ndodhet afër Fuego-s ose në vullkanin Pacaya, rreth 50 km nga Antigua.    (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/01/22/si-nje-vullkan-mund-te-shkaktoje-kaos-ne-bote/

A2 CNN Livestream

Latest Videos