
Adriana Kalaja bëri deklaratën e fortë në emisionin “Off the Record” në A2 CNN ku u shpreh se vendimi i Kushtetueses që rrëzoi dekretin e presidentit Begaj dhe shkarkimin e Erion Veliajt erdhi si pasojë e një USB-je me prova që disponon ky i fundit që implikojnë drejtpërdrejt kryeministrin Rama.
“Problemi që kishte Edi Rama nuk është në dorën e tij. Është përtej. Ndodhën aq shumë gjëra nga momenti kur Rama shkarkoi Veliaj deri ditën e premte, ndodhën shumë probleme. Ata kanë një presion të vazhdueshëm ndaj njëri-tjetrit. Më shumë se mbrojtja që bëri Erion Veliaj në Kushtetuese është USB me prova që implikojnë direkt Edi Ramën”, tha Kalaja.
Juristja lëshoi akuza të forta dhe ndaj presidentit Bajram Begaj.
“Për mënyrën sesi u soll presidenti mendoj se do ulet niveli i bisedës po të flasim për dekretin. Mendoj të vazhdojmë me mbledhjen e këshillit bashkiak. Ai nuk mund të jetë presidenti i vendit tim. Edi Rama nuk përdoret nga këta. Këta përdoren nga Rama. Presidenti të ketë atë moskorrektësi është e rrallë në historinë e pluralizmit”, shtoi ajo.
Më tej, Kalaja pati dhe kritika për anëtarët e djathtë në Këshillin Bashkiak, për të cilët tha se u bënë pjesë e farsës që sot legjitimitoi pafajësinë e Veliajt.
“Vendimi apo propozimi i këshillit bashkiak kishte probleme dhe e kisha paralajmëruar se do të legjitimitonim pafajësinë e Veliaj. Anëtarët e Këshillit të Partisë Demokratike u bënë pjesë e farsës që ndodhi në bashki. Për mua po është bashkëfajtore”, deklaroi Kalaja. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   