Gazetari dhe analisti Roland Qafoku e ka cilësuar si një “fitore të madhe” për Erion Veliajn, vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi kërkesën e tij dhe shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin, si dhe dekretin e Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet.
Në emisionin Off the Record të Andrea Dangllit në A2 CNN, Qafoku tha se ky vendim është një ditë e mirë për Shqipërinë, sepse tregon se “në këtë vend nuk ka vetëm qeveri, por edhe drejtësi që funksionon”. “Është një triumf i drejtësisë mbi një padrejtësi”, tha gazetari.
Sipas tij, Erion Veliaj jo vetëm ka fituar një betejë juridike, por edhe një betejë politike të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama. “Veliaj ishte i vetmi politikan i rangut të lartë që paditi vetë kryeministrin dhe e fitoi. Kjo është një fitore e madhe për të”, deklaroi Qafoku.
Ai shtoi se kjo është humbja e parë politike e Edi Ramës në 12 vitet e tij në pushtet, pasi deri tani nuk kishte njohur asnjë disfatë të tillë.
“Me kë ka humbur Edi Rama këto 12 vite? Me askënd. Kjo është beteja e parë që ai humbet, dhe atë e fitoi Erion Veliaj”, tha gazetari. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   