Lëkundjet sizmike vazhdojnë në Santorini, teksa numri i të larguarve nga ishulli ka arritur në disa mijëra.
Shkencëtarët dhe autoritetet kanë mbërritur në ishull në mes të fenomenit, në një kohë kur takimet e ekspertëve po zhvillohen çdo ditë.
Sizmologu Gerasimos Papadopoulos argumentoi se është arritur një udhëkryq kritik, duke thënë se "jemi në një sekuencë të paratërmeteve".
“Gradualisht, magnitudat nga e shtuna pasdite deri më sot, nga 3.6 të shkallës Rihter arritën në 5 të shkallës Rihter. Është vërtetuar plotësisht se jemi në një sekuencë parasizmike. Ne kemi parë një tendencë në rritje të magnitudës dhe numrit të tërmeteve, ndërsa sekuenca sizmike vazhdon saktësisht me të njëjtat karakteristika”, tha Papadopoulos.
Sakaq, rezulton se deri më tani 11,000 njerëz janë larguar nga ishulli i Santorinit. Konkretisht 7000 qytetarë dhe 1200 automjete private u nisën me tragete, ndërsa më shumë se 4000 zgjodhën të largoheshin me avion.
Kompania greke e fluturimeve Aegean njoftoi se të hënën në 9 fluturime për në Athinë janë transportuar gjithsej 1294 pasagjerë, ndërsa sot dita do të mbyllet me 8 fluturime.
“Në total, gjatë dy ditëve të para, të hënën dhe të martën, rreth 2500-2700 pasagjerë do të jenë transportuar nga Santorini në Athinë me fluturimet tona”, tha kompania në një deklaratë.
Trazira të mëdha ka edhe në Amorgos, për shkak të lëkundjeve të vazhdueshme sizmike në zonë, në një kohë kur qytetarët nisen nga Santorini me anije dhe avionë.
Pasditen e së martës ka ndodhur tërmeti më i fortë që prej ditës së shtunë, kur ka nisur fenomeni, me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në jug-jugperëndim të Arkesinit dhe thellësi fokale 13.2 kilometra.
Lëkundjet sizmike ishin veçanërisht të forta, duke bërë që banorët e Amorgos të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe, duke marrë makinat të lëviznin drejt pjesëve më malore të ishullit. Siç raportojnë të njëjtat informacione, në Katapola dhe Xylokeratidi shumica e banorëve kanë fjetur në makinat e tyre.
Profesori i Gjeologjisë dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore, Efthimios Lekkas, foli për sekuencën e vazhdueshme sizmike midis Santorinit dhe Amorgos. Sipas tij, tërmeti me magnitudë 5.0 që ndodhi mesditën e së martës dhe u ndje edhe në Atikë, është shumë i vogël për t'u karakterizuar si kryesori.
“Tërmeti 5 ballë i shkallës Rihter është i vogël për të qenë kryesori. Personalisht do të preferoja të ndodhte një tërmet 5.5 që nuk do të shkaktonte asnjë efekt. Por ky tërmet mund të ketë sinjalizuar një tërmet kryesor dhe fillimin e uljes së aktivitetit sizmik”, tha Lekkas.
Aktiviteti sizmik në zonë monitorohet nga Laboratori i Sizmologjisë i Universitetit të Athinës, i cili në njoftimin e tij thekson se nga qershori 2024 deri më 1 shkurt 2025 kanë ndodhur mbi 2500 tërmete, ndërsa brenda tre ditëve kanë ndodhur 1200 tërmete. (A2 Televizion)