Komisioni Qendror i Zgjedhje konfirmoi se 104 subjekte politike kanë aplikuar për të qenë pjesë e garës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Mes tyre janë 33 parti politike, dy koalicione, 35 kandidatë të pavarur dhe 34 iniciativa qytetare që do të garojnë për kryetarë dhe këshilltarë lokalë në 38 komuna të Kosovës. Aplikimi për subjekte politike përfundoi zyrtarisht mesnatën mes së mërkurës dhe të enjtes.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri më tani ka certifikuar 19 subjekte politike, prej të cilave 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur. Për shkak të periudhës së pushimeve, KQZ tha se certifikimi do të marr më shumë kohë pasi të gjithë kandidatët do të duhet të kalojnë filtrat e institucioneve të tjera, shkruan A2 CNN.
“Verifikimi me gjasë do të merr më shumë kohë se zakonisht duke pasur parasysh që rreth 90% e subjekteve politike kanë përfunduar të mërkurën aplikimin në ora 23:59, andaj edhe numri më i madh i kandidatëve do të jetë të cilët do të dërgohen për verifikim”, tha Besnik Buzhala, përfaqësues i KQZ.
Në këto zgjedhje ka aplikuar edhe Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve që ka edhe mbështetjen e Beogradit, e cila kishte bojkotuar zgjedhjet lokale për komunat veriore të mbajtura më 2023.
Gjithashtu, në këto zgjedhje rikthehet në garë edhe Partia Socialdemokrate, së cilës i ishin bashkuar pjesa e pakënaqur me Vetëvendosjen, që garojnë në tri komuna, përfshirë Prishtinën me kandidate për kryetare ish-ministren e Arsimit në Shqipëri, Besa Shahini. (A2 Televizion)