Elita a re politike e Maqedonisë së Veriut nuk tërhiqet nga projekti për përdorimin e emrit Maqedoni. Lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministri i zgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se do ta respektojë marrëveshjen e Prespës, por do të vazhdojë të përdorë emrin Maqedoni në komentet e tij publike.
Reagimin e tij, Mitckoski e dha gjatë një konference për shtyp. “Çfarëdo që të përfshijë Marrëveshja e Prespës, përfshirë emrin kushtetues, qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së do ta respektojë. Por është e drejta ime njerëzore, e garantuar nga konventa të shumta, që kam të drejtën e fjalës dhe shprehjes së lirë.
Atdheu im në të gjitha deklaratat e mia është dhe do të mbetet Maqedonia”. Mickoski tha gjithashtu se nuk planifikon të sillet “si taleban” dhe u bëri thirrje vendeve fqinje të bëjnë të njëjtën gjë. “Histeria që krijohet në Greqi dhe është bartur këtu, është për shkak të fushatës së tyre parazgjedhore”, tha Mickoski, duke shtuar se mandatin për formimin e qeverisë do ta marrë nga presidenti i Maqedonisë së Veriut të enjten. (A2 Televizion)