Studentët janë rikthyer këtë të hënë në auditoret e universiteteve publike, duke i dhënë fund bojkotit të mësimit që zgjati më shumë se dy javë e gjysmë.
Gazetarja e A2 CNN Ornela Joti, në një raportim nga Universiteti i Mjekësisë në Tiranë, bëri të ditur se procesi mësimor ka rifilluar normalisht në të gjitha programet e këtij universiteti. Edhe në universitetet e tjera publike studentët janë rikthyer në auditorë, me përjashtim të disa programeve të studimit në Universitetin Politeknik.
Sipas gazetares së A2 CNN, vendimi për rikthimin në mësim është marrë nga vetë studentët përmes komunikimeve në grupet e tyre, me argumentin se çdo orë e humbur është në dëm të tyre.
Megjithatë, studentët nuk e kanë përjashtuar mundësinë për të vijuar protestat pas përfundimit të leksioneve dhe seminareve, duke iu bashkuar tubimeve të pasdites.
Për momentin nuk ka një vendim të qartë nëse do të ketë një lëvizje të re të organizuar studentore.
(A2 Televizion)