Java e dhjetë e Kategorisë Superiore solli tre përballje të dielën, me Egnatian që mori një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Tiranës, ndërsa Elbasani dhe Skënderbeu regjistruan rezultate pozitive në garën për objektivat e tyre.
Në kryeqytet, Egnatia triumfoi 2-1 ndaj Tiranës, duke përmbysur avantazhin e bardhebluve dhe duke marrë tri pikë me shumë vlerë. Ky sukses e forcon skuadrën rrogozhinase në krye të klasifikimit, tashmë me 24 pikë, shkruan A2.
Drilon Hazrollaj zhbllokoi sfidën që në minutën e katërt për Tiranën, mirëpo miqtë reaguan me Karim Loukili në minutën e 20-të. Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt ndarjes së pikëve, ishte Ibrahim Diabate ai që shënoi golin e fitores për kampionët në fuqi.
Ndërkohë, në Elbasan, festa ishte verdheblu. Elbasani mposhti Laçin me rezultatin 2-1, duke përmbysur disavantazhin fillestar. Traore kaloi kurbinasit në avantazh , por Atdhe Mazari ishte heroi i vendasve, me dy gola të realizuar.
Në Korçë, Skënderbeu dhe Vllaznia ndanë nga një pikë, pas barazimit 1-1. Bismark kaloi vendasit në avantazh, ndërsa Bekim Balaj riktheu baraspeshën në minutën e 67-të. Shkodranët kërkuan edhe golin e fitores, por rezultati mbeti i pandryshuar. (A2 Televizion)