Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka njoftuar një zhvillim të rëndësishëm ekonomik gjatë pjesëmarrjes së tij në Samitin e Procesit të Berlinit, që u zhvillua në Londër.
Mickoski bëri të ditur se kompania amerikano-britanike “Burstock”, do të investojë deri në 150 milionë dollarë në industrinë e specializuar ushtarake në Maqedoninë e Veriut.
“Sot nënshkruam një memorandum mirëkuptimi me kompaninë amerikano-britanike ‘Burstock’, e cila do të investojë deri në 150 milionë dollarë në industrinë e specializuar ushtarake në Maqedoni. Do të hapen rreth 1.000 vende të reja pune me paga të larta dhe ky është vetëm fillimi”, shkroi Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, ky është vetëm hapi i parë i një bashkëpunimi më të gjerë, pasi investimet në industrinë ushtarake pritet të tejkalojnë një miliard dollarë në vitet e ardhshme.
Kompania “Burstock” njihet për përvojën e saj shumëvjeçare në fushën e mbrojtjes, diplomacisë, sigurisë dhe inteligjencës, si dhe në trajnim, konsulencë dhe menaxhim projektesh. Po ashtu, ajo vepron në sektorët komercialë detarë dhe të aviacionit.
Ky është një nga investimet më të mëdha të huaja në sektorin e mbrojtjes në rajon, që pritet të rrisë rolin strategjik të Maqedonisë së Veriut në industrinë e teknologjisë dhe sigurisë. (A2 Televizion)