Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se personi i arrestuar pas incidentit para Kuvendit të Serbisë është Vladan A., i lindur në vitin 1955 në Beograd, një pensionist dhe ish-punonjës i Shërbimit të Sigurimit të Shtetit (DB). “Ky person ka banesën në komunën Stari Grad. Sipas vlerësimit tim si jurist dhe politikan, ai ka kryer një sulm terrorist të tmerrshëm ndaj personave të tjerë dhe pasurisë së huaj, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm. Kualifikimin përfundimtar të veprës do ta japë prokuroria kompetente”, tha Vuçiç, raporton N1, përcjell A2 CNN.
Ai shtoi se, në varësi të përcaktimit ligjor, çështja do të trajtohet ose nga Prokuroria për Krimin e Organizuar ose nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Vuçiç bëri të ditur se i arrestuari ka punuar për Sigurimin e Shtetit (DB) për rreth 16 vjet, deri në vitin 1993. “Bëhet fjalë për një njeri me përvojë, që deri më 1993 ka qenë pjesë e shërbimeve të sigurisë. Tani është pensionist, por më herët ka punuar edhe në disa biznese private”, tha Presidenti serb.
Sipas tij, Vladan A. posedon armë të regjistruara ligjërisht, një pistoletë “Crvena Zastava M99”, të cilën e kishte dorëzuar në vitin 2018 gjatë fushatës për çarmatim të qytetarëve, si dhe një armë tjetër të vjetër të markës “Melior”.
Vuçiç njoftoi se gjatë incidentit është plagosur Milan B., baba i dy fëmijëve. “Vajza e tij është studente, një prej atyre që duan të ndjekin mësimet. Ai ndodhej pranë çadrave kur ndodhi ngjarja”, tha Vuçiç, duke shtuar se “ishte vetëm çështje kohe” që diçka e tillë të ndodhte.
Sipas tij, ngjarja është rezultat i “klimës së urrejtjes dhe agresionit” të krijuar gjatë protestave dhe bllokadave të studentëve.
Vuçiç theksoi se në sulm është përdorur armë zjarri dhe se motivi ka qenë “qartësisht politik”. “Qëllimi ishte të krijohej rrezik i përgjithshëm, me motiv politik të qartë. Ai ka thënë se e nervozonin çadrat në qendër të qytetit”, deklaroi presidenti.
Ai gjithashtu u shpreh se disa persona nga opozita “kanë ditur saktësisht çfarë dhe ku të filmonin”, duke iu referuar pamjeve që janë publikuar në rrjetet sociale menjëherë pas ngjarjes. (A2 Televizion)