Paraqitja e çuditshme e Vuçiçit në TV Pink ka ndezur teori të reja konspiracioni. Vuçiç po kërcënon me një shkallë edhe më të madhe kontrolli mbi të gjitha segmentet e shoqërisë në Serbi.
Teoria e konspiracionit se shembja e mbulesës në stacionin hekurudhor në Novi Sadi ishte rezultat i sabotimit me ndihmën e fuqive të huaja ka qenë e pranishme në tabloidët e regjimit dhe në deklaratat e udhëheqësve të qeverisë për gati një vit. Megjithatë, pas një paraqitjeje të çuditshme në TV Pink të dielën, më 5 tetor, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ofroi një version të ngjarjeve që do të etiketohej si një dredhi politike e papërgjegjshme dhe e rrezikshme në disa sisteme politike më të rregullta.
Me tonin e tij klasik pasiv-agresiv, ai vuri në dukje se politikani lokal i opozitës Misha Baçulov nga Novi Sadi ndoshta nuk ishte fajtor, por ai po ecte nëpër stacionin e trenit me dyshim dhe shqetësim disa orë para se të shembej.
Ushtria e robotëve të qeverisë dhe tabloidët e regjimit reaguan menjëherë ndaj këtij rrëfimi, duke treguar një klip video të Baçulovit të lartpërmendur duke ecur pranë stacionit të trenit të Novi Sadit dhe duke parë telefonin e tij celular. Dhe sado absurde të tingëllojë një lidhje e tillë me shembjen e tendës, sondazhet e opinionit publik tregojnë se ajo gjen jehonë të mirë te elektorati i partisë së Vuçiçit.
Sipas një sondazhi të fundit nga Mendimi i Ri Politik Serb (NSPM), deri në 40.4 përqind e votuesve në të partisë në pushtet besojnë se shembja e tendës ishte një "sabotim i orkestruar nga shërbimet e huaja”. Deklarata zyrtare nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Novi Sad se shembja më 1 nëntor 2024 nuk ishte rezultat i ndonjë sabotimi apo akti terrorist, nuk ndihmon në këtë rast. Presidenti i shtetit, në mënyrën e tij, ka lidhur kështu shërbimet e huaja dhe opozitën vendase, dhe për votuesit e tij ky tani është praktikisht versioni zyrtar i asaj ngjarjeje tragjike.
Krijimi i panikut
Është e qartë se Vuçiç po përpiqet të fshehë se kush është përgjegjës për shembjen në këtë mënyrë dhe "të përdorë këtë mashtrim për të fshehur nga publiku faktin se diçka e vlerësuar në 320 milionë euro është paguar katër herë më shumë”, tha për DW Zoran Gavriloviq, nga Byroja për Kërkime Sociale (BIRODI). Ai vlerëson se megjithatë po mbizotëron një lloj paniku brenda radhëve të qeverisë për shkak të përvjetorit të kësaj tragjedie, ku humbën jetën 16 persona. Tani po hartohet edhe një raport ku do të shihen detajet për ngjarjen, siç thuhet.
Presidenti serb u ankua se nuk ishte i kënaqur që shërbimi sekret BIA nuk i dha atij regjistrime të protestave studentore, nuk ishte i kënaqur se një oficer policie përhapi gënjeshtra për një top sonik, se policia dhe zyra e prokurorit penguan punën në Shtabin e Përgjithshëm me familjen Trump, se kampet dhe ndasitë janë rezultat i disa forcave të panjohura në Serbi, ose se prokurorët nuk po i përgjigjen telefonit të tij.
Vajtimet e Vuçiçit
Drejtori i lajmeve në Nova TV, Slobodan Georgiev, i tha DW se "e gjithë paraqitja e Vuçiçit në media ka qenë një vajtim, sepse ai nuk kontrollon realisht gjithçka dhe të gjithë në vend".
"Duket sikur ai nuk mund të kontrollojë çdo gjykatës, prokuror, agjent të BIA-s apo oficer policie - dhe kjo është shqetësuese. Kjo është një lloj surprize interesante, sepse ai duket se nuk është në gjendje të kuptojë se ka njerëz në Serbi që shkojnë në punët e tyre dhe përpiqen t'i bëjnë ato, pa pritur që Vuçiqi t'u thotë se çfarë të bëjnë. Duket se ai është mësuar t'u japë urdhra shovinistëve të partisë së tij me gojë dhe me telefon, dhe kjo është arsyeja pse tani është i befasuar që dikush nuk i përgjigjet në telefon", thotë Georgiev.
Ai shton se sheh një rrezik të madh në të gjithë këtë sjellje, sepse i duket sikur ky është një njoftim se "tani do të kalojnë tek ata njerëz që po përpiqen të bëjnë punën e tyre dhe që nuk janë drejtpërdrejt dhe çdo ditë nën kontrollin e tij. Ky është mesazhi 'Erdha unë, pastaj shikoni si t'ja bëni'", thekson Georgiev.
Propaganda ruse në stilin serb
Fakti që mbi 40 përqind e votuesve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) besojnë se shembja në stacionin hekurudhor ishte një diversion i organizuar nga shërbimet e huaja nuk është një surprizë për Zoran Gavriloviqin, sepse "forcat e krahut të djathtë janë shumë më të prira t'u besojnë teorive të konspiracionit":
"Ekziston edhe një racionalizim midis votuesve të tyre, të cilët thjesht nuk duan të besojnë se ka ndonjë përgjegjësi të autoriteteve për rënien e tendës. Tani është më shumë çështje psikologjie, apo edhe psikopatologjie, sepse nuk ke ku t'i komunikosh informacione të caktuara asaj pjese të votuesve. Vuçiq e mbush atë hapësirë me teori konspiracioni dhe duke e larguar vëmendjen nga pjesa e korruptuar e çështjeve që rrethojnë tendën e Novi Sadit", thotë Gavriloviç për DW.
"Mendoj se kjo përqindje duhet të jetë edhe më e lartë, duke marrë parasysh nivelin e propagandës ndaj të cilës janë të ekspozuar këta njerëz", thotë Slobodan Georgiev.
"Kjo është propagandë ruse në formën serbe, që synon t'i çmendë votuesit e tij. Besoj se ka njerëz në Serbi që, nëse Vuçiq do të shfaqej dhe do të thoshte se sot është e mërkurë, jo e martë, do të thoshin po, sot është e mërkurë. Ky është krimi shoqëror që po kryen ky regjim, i cili vepron në këtë mënyrë radikale, duke besuar se në politikë gjithçka lejohet dhe se gjithçka është e mundur. Sigurisht që është e mundur, por siç e shohim, kjo ka pasoja dramatike për shoqërinë në Serb", përfundon Slobodan Georgiev për DW. (A2 Televizion)