Fundjavë dhune në Podgoricë, Mali i Zi pezullon regjimin pa viza me Turqinë

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 15:24 | Ballkani

Fundjavë dhune në Podgoricë, Mali i Zi pezullon regjimin pa viza

Policia e Malit të Zi ka ndaluar dhjetëra shtetas turq dhe azerbajxhanas pas një fundjave të trazuar në Podgoricë, ku një incident me thikë mes disa turistëve turq dhe një qytetari malazias shkaktoi përplasje dhe akte dhune në rrugë, raporton Reuters, përcjell A2 CNN. Ngjarja filloi të shtunën mbrëma, kur një burrë malazez u plagos me thikë pas një përplasjeje verbale me një grup shtetasish turq. Fatmirësisht, plagët e tij nuk rezultuan të rënda.

Por incidenti shkaktoi reagime të forta në qytet, dhjetëra persona vandalizuan automjete me targa turke dhe disa shtetas turq u detyruan të strehoheshin në një kazino për t’u mbrojtur. Në mbrëmjen e së dielës, një restorant i drejtuar nga biznesmenë turq në qendër të Podgoricës u sulmua dhe u vu në zjarr.

Fundjavë dhune në Podgoricë, Mali i Zi pezullon regjimin pa viza

Sipas policisë, janë ndaluar dy persona të dyshuar si autorë të ngjarjes, një shtetas turk dhe një azerbajxhanas, si dhe 45 të tjerë që dyshohet se ndodheshin në vend pa dokumente të rregullta qëndrimi. Shtatë prej tyre u gjobitën, ndërsa tetë u urdhërua të deportohen.

Pas ngjarjeve, kryeministri Milojko Spajić njoftoi se qeveria do të pezullojë përkohësisht regjimin pa viza për shtetasit turq dhe se do të zhvillojë “bisedime intensive” me Ankaranë për rregullimin e ardhshëm të politikës së vizave.

Presidenti Jakov Milatović, ndërkohë, bëri thirrje për qetësi dhe dënoi sulmet ndaj qytetarëve dhe pronave turke. “Nuk duhet të ketë vend për faj kolektiv apo stigmatizim të një populli të tërë. Mali i Zi ka nevojë për një politikë migrimi më të përgjegjshme: të ashpër ndaj abuzimeve dhe krimit, por të drejtë ndaj atyre që respektojnë ligjet tona”, deklaroi ai në platformën X.

Fundjavë dhune në Podgoricë, Mali i Zi pezullon regjimin pa viza

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin Spajić dhe ministrin e Jashtëm malazez, Ervin Ibrahimović, duke kërkuar nga autoritetet e Podgoricës që të garantojnë sigurinë dhe të drejtat e shtetasve turq.

Sipas ministrit të Brendshëm, Danilo Šaranović, nga rreth 100 mijë të huaj që jetojnë përkohësisht ose përgjithmonë në Mal të Zi, rreth 13 mijë janë turq. Ai shtoi se vitet e fundit është vërejtur një rritje e dukshme e numrit të shtetasve turq që hapin biznese ose kërkojnë punë në vend, ndërsa Mali i Zi përgatitet për anëtarësimin e tij të ardhshëm në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos