“Gjërat po ndryshojnë në botë”, Vuçiç kërcënon hapur: Serbia do të fitojë ndaj Kosovës

Nga A2 CNN
17 Qershor 2025, 19:55 | Ballkani

Serbia kërcënon hapur Kosovën. Këtë herë është vetë presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili në një intervistë për Televizionin Publik, RTS, thotë se gjërat po ndryshojnë në botë dhe se Beogradi do të fitojë kundër Prishtinës, pa saktësuar se për çfarë beteje po flet, ushtarake apo diplomatike.

Këtë formë kërcënimi e lëshoi kur u pyet lidhur me ato që Serbia i quan incidente me arrestime dhe deportime të serbëve nga Kosova, duke pretenduar se bien ndesh me normat themelore të së drejtës ndërkombëtare.

“Kjo nuk ka fund dhe nuk besojmë se do të përfundojë së shpejti, por në fund Serbia do të fitojë. Nuk do t'ju them se çfarë do të thotë kjo, por në fund Serbia do të fitojë dhe jam absolutisht i sigurt për këtë. Ndërsa gjërat po ndryshojnë ngadalë por me siguri në botë, jam i bindur se Serbia do të fitojë, nuk do të duhet shumë kohë që uji të rrjedhë poshtë Savës dhe Danubit që njerëzit ta vënë re dhe ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë popullit tonë në Kosovë”, tha Vuçiç.

Vuçiç paralajmëroi dy vizita të rëndësishme në shtator, njëra në Kinë dhe tjetra në Japoni. Presidenti serb konfirmoi edhe njëherë se i vetmi Zot që njeh është paraja, ndërsa deklaroi se shteti i tij u shet armë “vendeve myslimane dhe shtetit hebre, si dhe vendeve katolike, protestante dhe ortodokse”.

“Dhe ne shesim municione në të gjitha vendet, kjo është puna jonë dhe nga kjo jetojmë... Sigurisht, municionet përdoren në luftë, edhe nëse nuk shiten në një vend që është drejtpërdrejt në luftë, ato arrijnë në vendin që është në luftë. Nëse keni fabrika municionesh, atëherë duhet ta dini se kjo do të ndodhë”, shtoi ai.

Kjo deklaratë vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj kritikave të forta të Rusisë se Serbia ka dërguar municione në ndihmë të Ukrainës.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos