Moti i keq mbërthen Ballkanin, stuhi në Kroaci, borë në Slloveni dhe rrebeshe në Serbi

Nga A2 CNN
8 Korrik 2025, 16:22 | Ballkani

Një përkeqësim i madh i motit ka përfshirë rajonin e Ballkanit, duke shkaktuar stuhi të fuqishme, përmbytje, erëra të forta dhe madje edhe reshje bore në mes të korrikut.

Sipas autoriteteve meteorologjike në rajon, situata pritet të mbetet e paqëndrueshme edhe në ditët në vijim.

Kroacia në alarm portokalli: Përmbytje dhe dëme të mëdha në Split

Një stuhi e fuqishme goditi Zagrebin dhe qytete të tjera të Kroacisë, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve, shkulje pemësh dhe dëme të mëdha materiale.

Në Split, banorët përjetuan një nga stuhitë më të forta të viteve të fundit. Pamjet amatore tregojnë dëme të konsiderueshme në infrastrukturë, përfshirë ndërtesa dhe madje edhe stadiumin e Hajdukut në Poljud, i cili u përmbyt dhe u dëmtua rëndë.

Moti i keq mbërthen Ballkanin, stuhi në Kroaci, borë në

Disa lagje të Splitit raportuan përmbytje të bodrumeve, sidomos në zonën historike të Dioklecianit dhe Peristilit, ku niveli i ujit arriti deri në gjysmë metri.

Erërat e fuqishme dëmtuan çati, dritare dhe anije në portet lokale. Shërbimi meteorologjik kroat (DHMZ) ka shpallur alarm portokalli për zonat e Istrias, Dalmacisë, Kvarnerit dhe Slavonisë, ndërsa pjesa tjetër e vendit është nën alarm të verdhë.

Temperaturat kanë rënë ndjeshëm, deri në 10°C më pak se një ditë më parë.

Kaos në Serbi: Stuhi në Beograd dhe zonat veriore

Moti i keq mbërthen Ballkanin, stuhi në Kroaci, borë në

Stuhia e paralajmëruar nga Instituti Hidrometeorologjik i Serbisë tashmë ka mbërritur në Beograd. Erërat e fuqishme kanë shkaktuar rrëzime të pemëve dhe kaos me trafikun nëpër rrugë.

Materialet nga çatitë e banesa janë parë duke fluturuar në ajër, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët për kujdes të shtuar. Rajonet e Baçkës, Sremit dhe Banatit po përballen me reshje të dendura shiu, bubullima dhe breshër, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe dëmtime të infrastrukturës.

Sllovenia: Borë në korrik në majat malore

Moti i keq mbërthen Ballkanin, stuhi në Kroaci, borë në

Ndërkohë në Slloveni, një fenomen i rrallë ka ndodhur këtë mëngjes. Reshje bore janë regjistruar në lartësitë mbi 2,200 metra në zonat malore të Kredaricës dhe Kaninit. Stacioni meteorologjik në Kredarica raportoi temperaturë 0°C në orën 10 të mëngjesit, ndërsa kamerat e vendosura tregojnë qartë mbulesën e borës në mes të korrikut — një ngjarje e pazakontë për këtë periudhë të vitit.

Sipas parashikimeve e marta dhe e mërkura do të jenë ende nën ndikimin e motit të paqëndrueshëm në Ballkan, me reshje shiu, bubullima dhe erëra të forta.

Temperaturat do të lëvizin nga 15–25°C, në varësi të zonës. Në Adriatik priten reshje të forta me stuhi të shkurtra, ndërsa në brendësi moti do të përmirësohet gradualisht nga e mërkura.

Meteorologët paralajmërojnë që qytetarët të qëndrojnë të informuar dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale, pasi moti ekstrem pritet të sjellë edhe ndërprerje të mundshme të energjisë dhe transportit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos